Aksidenti tragjik në Durrës/ Kapet shoferi që dyshohet se përplasi për vdekje 41-vjeçarin dhe u largua nga vendngjarja, hapet fushatë GoFundMe për tre fëmijët jetimë

23/08/2026 17:55

Policia ka identifikuar dhe kapur autorin e dyshuar të aksidentit tragjik në Rrashbull të Durrësit, në aksin Shkozet-Shijak, ku humbi jetën 41-vjeçari Vasil Hasani.

Pas përplasjes, drejtuesi i automjetit, Rezart Rexhepi, 38 vjeç, banues në Sukth i cili ngiste një mjet të tipit Benz A-Class,  u largua nga vendi i aksidentit, duke e lënë 41-vjeçarin, pa ndihmë, të shtrirë në rrugë, në errësirë. Vasili po kthehej në shtëpi në orët e para të së premtes, kur teksa lëvizte me biçikletë, rreth orës 02:00 u përplas nga një automjet.

Për rreth katër orë, 41-vjeçari dyshohet se mbeti në rrugë pa marrë ndihmën e nevojshme. Vetëm rreth orës 06:00, një kalimtar e gjeti dhe njoftoi autoritetet, por për Vasilin ishte tepër vonë. Ai kishte humbur jetën.

Vasili ishte baba i tre fëmijëve të mitur, dy djemve 14 dhe 10 vjeç dhe një vajze 13-vjeçare. Ai la pas bashkëshorten dhe fëmijët e tij, Vjolnin, Klajdën dhe Ermalin. Gjithashtu në dhembje të thellë edhe prindërit e tij të moshuar.

Ditën e sotme është hapur një fushatë në GoFundMe për të mbështetur familjen Hasani, e cila pas humbjes së 41-vjeçarit përballet me një situatë të vështirë.

Apeli i familjarit që ka hapur fushatën, nipit të Hasanit, është për këdo që ka mundësi të kontribuojë. Çdo ndihmë, sado e vogël, mund të jetë një mbështetje për bashkëshorten dhe tre fëmijët që kanë humbur babanë.

Top Channel