Dita e 84-t e protestës/ Marshimi nis me tension, një pjesë e protestuesve nuk e ndjekin. Tubuesja: Nuk u lejova as të shprehja mbështetjen për këtë lëvizje

22/08/2026 21:20

Protesta e 84-t ka hyrë në një fazë të re, teksa qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët e Tiranës, ndërsa në momentet e para janë shënuar edhe tensione mes pjesëmarrësve.

Dy gra morën megafonin për të folur para protestuesve, por u kundërshtuan nga një pjesë e turmës. Në të njëjtën kohë, një prej organizatorëve sinjalizoi nisjen e marshimit, duke bërë që vëmendja të zhvendosej drejt lëvizjes së protestuesve.

Situata u shoqërua për pak momente me debat mes pjesëmarrësve, përpara se gjendja të qetësohej dhe protesta të vijonte me marshimin në rrugët e kryeqytetit.

Në një prononcim për Top Channel, protestuesja, e cila nuk u la të fliste, shprehet se nuk u lejua të shprehte mbështetjen e saj për këtë lëvizje.

“Ne nuk patëm as mundësinë të themi se unë jam vërtet shumë, shumë mirënjohëse për gjithçka që ata po bëjnë.

Zonja më tha se ka ardhur këtu çdo ditë dhe se ka humbur vetëm një ditë. Ajo rrezikon të humbasë edhe vendin e punës.

Ne kemi të drejtën të dalim në rrugë dhe të protestojmë. Kjo është një diktaturë e re dhe ne kemi ardhur këtu pikërisht për të amplifikuar zërin e saj dhe zërin e të gjithë “Flamingo Revolution”.

Unë, si shqiptare e diasporës, që e kam përjetuar racizmin në lëkurën time, tani jam krenare për diasporën dhe doja ta falënderoja për gjithçka që po bën.

Dhe kjo është ajo që ne duam ta themi gjithmonë e më fort. Nëse ata duan ndihmën dhe zërin tonë, ne jemi shumë të lumtur që mund t’ua japim.

Na thirri një pjesë e diasporës dhe për këtë arsye erdhëm këtu. Dhe këtë do të vazhdojmë ta bëjmë sa herë që “Flamingo Revolution” të kërkojë praninë tonë, ashtu siç ka ndodhur deri tani.

Ne jemi këtu për të qenë megafoni i tyre, asgjë tjetër. Shqipëria e shqiptarëve dhe e askujt tjetër”, tha mes të tjerash protestuesja.

Një numër protestuesish marrin drejtim të kundërt me marshimin

Ndërkohë, duhet thënë se një pjesë e protestuesve nuk e kanë ndjekur marshimin dhe kanë vendosur të qëndrojnë para kryeministrisë.

Mosmarrëveshja e sotme vjen pas një tjetër përplasjeje të para disa ditëve, ku një prej protestuesve edhe u sulmua fizikisht.

Top Channel