Moti në fundjavë nis i qëndrueshëm, reshje të izoluara vetëm në disa zona
Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë zonën mbi fshatin Dukat, në jug të vendit, ndërsa dyshohet se flakët mund të jenë shkaktuar qëllimisht.
Zjarri është shfaqur rreth orës 19:00 të mbrëmjes së djeshme, fillimisht në katër vatra. Gjatë natës, flakët janë përhapur në një sipërfaqe të konsiderueshme në drejtim të malit të Çikës.
Forcat zjarrfikëse kanë mbërritur në terren rreth orës 04:00 të mëngjesit dhe kanë nisur menjëherë punën për izolimin e vatrave. Në operacion janë angazhuar edhe rreth 40 efektivë të Forcave të Armatosura, nën drejtimin e strukturave të Emergjencave Civile.
Nga distanca, përmasat e zjarrit duken të mëdha, ndërsa flakët vijojnë të përhapen në terrenin malor. Operacioni i shuarjes paraqet vështirësi për shkak të terrenit të thyer dhe pritet të zgjasë për disa orë.

Ekipet në terren duhet të jenë të pajisura me ujë dhe ushqime, duke marrë parasysh qëndrimin e gjatë në zonën e përfshirë nga zjarri.
Aktualisht, era nuk është e fortë dhe kushtet atmosferike nuk po favorizojnë përhapjen e shpejtë të flakëve. Megjithatë, një përforcim i erës do të rriste rrezikun që zjarri të përparojë në drejtim të Parkut Kombëtar të Llogarasë.
Forcat zjarrfikëse dhe ushtria vijojnë ndërhyrjen në terren me qëllim izolimin e plotë të vatrave dhe parandalimin e përhapjes së zjarrit.
Krahas ndërhyrjes nga toka, ka nisur edhe ndërhyrja nga ajri me dy avionët “Air Tractor” me qëllim vënien e zjarrit nën kontroll.
Top Channel