Turqia lëshoi urdhër-arrest ndërkombëtar ndaj tij, reagon Netanyahu: Erdogani diktator antisemit, përpjekje patetike që nuk na frikëson

21/08/2026 17:27

Menjëherë pas njoftimit zyrtar se Turqia ka lëshuar urdhër-arrest ndërkombëtar për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, ka reaguar ky i fundit.

Në një deklaratë të lëshuar prej tij, Netanyahu e cilëson presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan si një diktator antisemit.

“Erdogani është një diktator antisemit që masakroi kurdët, u dha strehim terroristëve të Hamasit, pushtoi gjysmën e Qipros dhe burgosi një numër rekord gazetarësh dhe kundërshtarësh politikë. Tani ai po përpiqet ta zgjerojë agresionin e tij kundër Izraelit në Siri.

Izraeli nuk do ta tolerojë këtë. Përpjekja patetike e Erdoganit për të frikësuar udhëheqësit dhe ushtarët e Izraelit, e vetmja demokraci e vërtetë në Lindjen e Mesme, nuk do të ketë sukses”, ka deklaruar kryeministri izraelit.

Ministri turk i Drejtësisë Akin Gürlek njoftoi urdhër arrestin në lidhje me procedurat që lidhen me gjenocidin në Gaza dhe sulmin ndaj aktivistëve të Global Sumud Flotiljes në ujërat ndërkombëtare.

“Si pjesë e procedurave ligjore që lidhen me sulmin në ujërat ndërkombëtare kundër aktivistëve të Flotiljes dhe në përputhje me urdhër-arrestet e lëshuara më 14 korrik 2026 kundër Benjamin Netanyahut dhe Afek Moskovitch për ‘gjenocid’, Ministria e Drejtësisë i ka kërkuar Ministrisë së Brendshme të lëshojë një ‘njoftim të kuq’ për arrestimin e tyre ndërkombëtar”, tha Gürlek.

Incidentet që lidhen me Flotiljen datojnë disa muaj më parë. Në maj, afërsisht 430 anëtarë të ekuipazhit nga 50 anije të ndaluara nga ushtria izraelite në Mesdhe, në perëndim të Qipros, u çuan me forcë në Izrael dhe më pas u mbajtën në burgun Ktziot përpara se të deportoheshin.

Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, shkaktoi zemërim ndërkombëtar pasi publikoi një video ku e tregonte veten midis aktivistëve të ndaluar të detyruar të gjunjëzoheshin me duart e lidhura .

Ministri Gürlek kujtoi se Netanyahu dhe Moskovitch “akuzohen për krime kundër njerëzimit, gjenocid, privim të rëndë nga liria, dëmtime trupore të qëllimshme, keqtrajtim, dëmtim të pronës, grabitje të rëndë dhe sekuestrim të mjeteve të transportit”.

Ai më pas kujtoi se Turqia e hedh poshtë idenë që Netanyahu dhe qeveria izraelite të mbeten të pandëshkuar për veprimet e tyre: “Ne në asnjë mënyrë nuk e pranojmë idenë se administrata Netanyahu, e cila po zbaton një politikë gjenocidi në Gaza, është e paprekshme dhe nuk mund të mbahet përgjegjëse për veprimet e saj.

Ne nuk do të lejojmë që krimet e kryera në Gaza të mbulohen, dhe as ata që janë përgjegjës nuk do të mbrohen nga mburoja e pandëshkueshmërisë. Ne do të përdorim me vendosmëri të gjitha mjetet e disponueshme sipas ligjit kombëtar dhe ndërkombëtar.”

 

 

Top Channel