Bashkia Poliçan ka zhvilluar sot një mbledhje emergjente të Këshillit Bashkiak.
Siç raporton korrespondenti i Top Channel Bledar Korreshi, qëllimi i kësaj mbledhjeje ka qenë miratimi me votat e këshillit i mosshkrirjes së Bashkisë Poliçan. Fillimisht, në mbledhjen e drejtuar nga kryetarja e Këshillit Bashkiak Poliçan, Mimoza Lulaj, ka qenë kryebashkiaku i Poliçanit, Adriatik Zotkaj, ai që, pasi ka argumentuar se asnjë nga pikat e propozuara në relacionin e qeverisë për shkrirjen e Bashkisë Poliçan nuk qëndron, ka deklaruar se: “Do të jetë një turp për Parlamentin nëse voton pro shkrirjes së kësaj bashkie”.
Zotkaj ka theksuar në fjalën e tij se ndarja dhe bashkimi i një bashkie bëhet vetëm me pëlqimin e komunitetit dhe komuniteti është kundër. Ai ka theksuar se Bashkia Poliçan duhet të jetë bashki, pasi aktualisht ka 318 biznese që lulëzojnë çdo ditë e më tepër, ka turizëm malor dhe industrial, ka implementuar projekte për rininë, moshën e tretë etj., dhe për miratimin për shkrirjen e saj janë përdorur dy standarde.
Më pas, këshilltarët u njohën me raportin e Komisionit të ngritur nga Këshilli Bashkiak për kryerjen e dëgjesave publike me qytetarët, ku shprehej indinjata e tyre e thellë për këtë propozim të qeverisë, që e cilësojnë absurd dhe të padrejtë.
Pasi përfunduan edhe diskutimet e këshilltarëve bashkiakë, të 15 këshilltarët konfirmuan “dorëheqjen” e tyre, në rast se votohet në Parlament shkrirja e Bashkisë Poliçan.
Në përfundim të mbledhjes, u kalua në votim dhe, me votat e 15 anëtarëve të Këshillit Bashkiak, u votua “Kundër” projektligjit për Ndarjen Administrative Territoriale, që propozon shkrirjen e Bashkisë Poliçan dhe bashkimin me Beratin.
Top Channel