18-vjeçarja australiane gjendet e vdekur pas 8 ditësh kërkime, policia i kërkon falje familjes pasi fillimisht raportuan se ishte shpëtuar e gjallë

21/08/2026 13:57

Familjes së një shëtitëseje 18-vjeçare në Australi iu tha gabimisht se vajza e tyre ishte gjetur gjallë pas tetë ditësh kërkimesh në një zonë të largët pyjore, por autoritetet më vonë konfirmuan se e reja ishte gjetur e vdekur.

Lily Hooper ishte larguar nga Oakdale, New South Wales, më 12 gusht për ecje në Parkun Kombëtar Nattai. Kur ajo nuk u kthye në shtëpi atë mbrëmje, ajo u raportua e zhdukur dhe nisi një operacion kërkim-shpëtimi me shumë agjenci.

Kërkimi vazhdoi për ditë të tëra në një zonë veçanërisht të vështirë, deri të enjten në mëngjes, kur u transmetua informacioni se 18-vjeçarja ishte gjetur gjallë. Lajmi shkaktoi momente gëzimi dhe lehtësimi në vendin e kërkimit, ku anëtarët e familjes së saj thuhet se festuan, duke besuar se aventura kishte një fund të lumtur, sipas CNN.

Edhe Kryeministri i shtetit të New South Wales, Chris Means, njoftoi publikisht shpëtimin e saj gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë në një takim të komisionit parlamentar.

Megjithatë, disa minuta më vonë ai u detyrua të korrigjonte deklaratën e tij, duke konfirmuar se Lily Hooper kishte humbur jetën.

“Jam thellësisht i trishtuar”, tha Means, duke shprehur për gabimin.

Shefi i Policisë së Uellsit të Ri Jugor, Mal Lennon, ka lëshuar një ndjesë publike për keqkuptimin, duke thënë se kishte pasur një ndërprerje serioze të komunikimit kur u gjet trupi i vajzës.

“Kërkoj ndjesë për këtë keqkuptim dhe për çdo traumë të mëtejshme që mund t’i ketë shkaktuar familjes së Lily-t”, tha ai.

Ai tha se keqkomunikimi kishte ndodhur në emocionin e momentit, ndërsa fjala u përhap shpejt midis atyre që ishin përfshirë në kërkim. Informacioni në të vërtetë ishte për vendndodhjen e trupit të saj.

Policia tha se do të hetonte rrethanat e vdekjes së 18-vjeçares dhe se si u shkaktua gabimi fatal në informimin e familjes.

Parku Kombëtar Natai ndodhet rreth 80 kilometra nga Sidnei, por karakterizohet nga terren veçanërisht i vështirë, shkëmbinj të pjerrët dhe zona të izoluara. Ditët e fundit, zona është goditur nga erëra të forta dhe temperatura të ulëta gjatë natës, gjë që e ka bërë kërkimin edhe më të vështirë.

Top Channel