“Sapo kam dalë nga birucat e komisariatit të Himarës pas përplasjes me Kryeministrin”, Rama reagon pas akuzave të Arjan Konomit dhe nxjerr videon: Ngjarja krejt ndryshe nga rrëfimi në pasqyrë

21/08/2026 15:05

Ditën e djeshme gazetari Konomi reagoi përmes një videoje, ku pretendonte se eskorta e Ramës kishte parkuar në mënyrë të gabuar gjatë një pushimi në fshatin e Vunoit dhe kishte shkuar t’i kërkonte llogari.

Gazetari pretendon se nxori telefonin për të filmuar situatën dhe për të pyetur policinë se përse nuk po vendoste gjoba.

Konomi ka treguar se më pas iu afrua Ramës, i cili, sipas tij, e ftoi disa herë për t’u ulur. Gazetari pretendon se gjatë përplasjes pati edhe një debat me bashkëshorten e kryeministrit, Linda Rama.

Në rrëfimin e tij, Konomi thotë se kishte me vete një qese me fiq dhe se në një moment i tha Ramës: “Po të jap disa fiq, nuk i kam për ty, po meqë mu gjendën”. Sipas tij, më pas Linda Rama i është përgjigjur me një frazë fyese.

Ndërkohë, ditën e sotme kryeministri Edi Rama ka nxjerrë një video nga momentet e përplasjes dhe ka dhënë versionin e tij për ngjarjen. Në videon, gazetari dëgjohet t’i drejtohet Ramës duke i thënë: “Përse keni parkuar kundër tabelës kryeministër? Ku është policia të të vërë gjobë? Do ca fiq?”.

Kryeministri përbri videos shkruan: “Ja që për fat të mirë ka edhe një video tjetër, e cila tregon krejt të kundërtën e videos që një dhunues i lirisë së të tjerëve paska vrapuar të tregojë botërisht, duke bërë para pasqyrës së tij viktimën e dhunuar, duke shfrenuar fantazinë dhe duke sharë si i përdalë një grua e një nënë, të cilën e bullizoi bashkë me fëmijën e saj në mes të rrugës, ku ngjarja u zhvillua krejt ndryshe nga rrëfimi në pasqyrë dhe u përhap pastaj në kanalet sociale si një tjetër gënjeshtër e madhe e luftës liridashëse kundër regjimit imagjinar. Fatmirësisht këtë herë ka një video demaskuese të gënjeshtrës, po imagjinojeni se sa herë të tjera gënjeshtra bën kërdinë mbi të vërtetën nëpër pasqyrat ku kujtojmë se informohemi”, shkruan Rama.

Konomi pretendon gjithashtu se pas debatit kanë ndërhyrë katër truproje, të cilët i kanë marrë telefonin dhe se më pas ai është shoqëruar me furgon policie në komisariat.

“Sapo kam dalë nga biruca e komisariatit të Himarës, pas një përplasje me kryeministrin Rama këtu në Vuno. Në mëngjes policia gjobit banorët atje ku ka tabela dhe ku nuk ka…”, ka deklaruar Konomi.

Top Channel