Tomorri pret mijëra pelegrinë, policia shton masat në akset drejt Teqesë së Kulmakut deri më 25 gusht

20/08/2026 12:24

Mijëra qytetarë nga i gjithë vendi bëhen pjesë e pelegrinazhit në Malin e Shenjtë të Tomorrit në Berat.

Pelegrinazhi zgjat për një javë me radhë, ndaj organizimi është çdo vit një sfidë për institucionet, që kanë ndërmarrë një plan masash. Policia e Beratit ka bashkuar forcat me Komisariatet e Policisë Berat, Kuçovë dhe Skrapar, me qëllim garantimin e rendit, parandalimin e krimit dhe rritjen e sigurisë rrugore.

Për të lehtësuar qarkullimin e mjeteve e këmbësorëve, nga data 18-25 gusht, janë vendosur shërbime shtesë në të gjitha akset rrugore që të çojnë në Malin e Tomorrit, si dhe në ambientet e jashtme të Teqesë.

“Drejtimi për drejtuesit e mjeteve që shkojnë në drejtim të Malit të Tomorrit (drejt teqesë) do të jetë: Rrethrrotullimi i Kombinatit – Unaza e qytetit – Rrethrrotullimi i Uznovës – Kryqëzimi i Plirëzit – Teqeja e Kulmakut. Itineraret për drejtuesit e mjeteve që kthehen nga Mali i Tomorrit (nga teqeja) do të jenë: Teqeja e Kulmakut – Bargullaz – Pronovik – Poliçan – Uznovë – Rruga kryesore “Antipatrea” – Rrethrrotullimi i Kombinatit. Drejtuesit e mjeteve dhe pelegrinët që vijnë nga qyteti i Çorovodës këshillohen të përdorin aksin rrugor Çorovodë – Gjerbës – Teqeja e Kulmakut dhe anasjelltas”, tha specialisti i trafikut urban, Lorenci.

Po ashtu, ndalohet qëndrimi dhe pushimi i mjeteve në akset rrugore dhe drejtuesit e mjeteve duhet të ndjekin udhëzimet e punonjësve të Policisë.

Rreth 600 mijë pelegrinë nga Shqipëria, Diaspora dhe mbarë bota udhëtojnë çdo vit drejt Teqesë së Kulmakut për të kremtuar festën e Baba Tomorrit, nën ritmet fetare të bektashinjve, pavarësisht besimeve fetare që u përkasin.

Besimtarët ngrenë çadrat e tyre në këtë vend të shenjtë, duke kryer kurbanin e festës dhe duke ngjitur me këmbë edhe majën e Malit të Tomorrit, i cili ndodhet 2416 metra mbi nivelin e detit.

Gjatë javës së pelegrinazhit, në Teqenë e Kulmakut dhe pranë varrit të Abaz Aliut, çdo pelegrin falet për shëndet, mirësi e paqe në familjet e tyre.

Top Channel