21 raste me fruth pas një festivali muzikor në Suedi, shumica e të infektuarve të pavaksinuar
Universiteti i Harvardit ka arritur një marrëveshje prej 53 milionë dollarësh për t’i dhënë fund një sërë padish të ngritura nga familjarët, që kishin dhuruar trupat e vdekur të personave te tyre te dashur për qëllime mjekësore dhe shkencore.
Paditë lidhen me një skandal të rëndë në Shkollën Mjekësore të Harvardit, ku familjarët akuzuan institucionin për neglizhencë të rëndë dhe keqtrajtim të trupave të të afërmve të tyre.
Rasti u bë publik pas zbulimit të veprimeve të ish-drejtorit të morgut të Harvardit, Cedric Lodge, i cili shfrytëzoi pozicionin e tij në Programin e Dhurimit Anatomik. Sipas autoriteteve, midis viteve 2018 dhe 2021, Lodge merrte organe nga trupat e dhuruar për qëllime edukative dhe kërkimore dhe i kanalizonte organet për t’i shitur online në tregun e zi.
Lodge dhe gjashtë persona të tjerë jashtë universitetit u përfshinë në skandal. Ai u dënua me tetë vjet burg, ndërsa gruaja e tij u dënua me një vit e një ditë burg. Në vitin 2025, edhe personat e tjerë të përfshirë pranuan fajësinë.
Fillimisht, paditë civile të familjeve kundër Harvardit u rrëzuan, por Gjykata Supreme e Masaçusetsit i riktheu ato, duke argumentuar se universiteti kishte anashkaluar shkeljet e kryera nga Lodge për një periudhë të gjatë.
Sipas marrëveshjes së paraqitur në një gjykatë në Boston, Harvard do të krijojë fonde të posaçme kompensimi me vlerë miliona dollarë për familjarët e personave të prekur nga skandali.
Në një letër të përbashkët, dekani i Shkollës Mjekësore të Harvardit, George Daly, dhe dekani i arsimit mjekësor, Bernard Chang, i cilësuan veprimet e Lodge si “moralisht të dënueshme dhe në kundërshtim me standardet e institucionit”.
Përveç kompensimit financiar, Harvard ka njoftuar edhe krijimin e një burse vjetore për studentët e mjekësisë, e cila do të nisë nga viti akademik 2027-2028, në nderim të personave që dhuruan trupat e tyre për edukimin dhe kërkimin shkencor.
Universiteti ka theksuar se, megjithëse marrëveshja i jep fund procesit ligjor, procesi i shërimit për familjet e prekura dhe komunitetin akademik do të jetë i gjatë.
Top Channel