Rriten tensionet në Hormuz/ Anija goditet nga një predhë e paidentifikuar, plagoset një person

18/08/2026 11:50

Një predhë ka goditur një anije në Ngushticën e Hormuzit, e pohuar kjo nga Agjencia Britanike për Operacionet e Tregtisë Detare (UKMTO), e cila monitoron sigurinë e anijeve dhe të marinarëve në mbarë botën.

Anija, flamuri i së cilës nuk është identifikuar, u godit “nga një predhë e paidentifikuar ndërsa po kryente një kalim në dalje” nga Ngushtica e Hormuzit, theksohet në deklaratë. Si pasojë, një anëtar i ekuipazhit është plagosur dhe po merr ndihmë nga Roja Bregdetare e Omanit.

Omani është vendi që ndan ujërat territoriale të Ngushticës së Hormuzit me Iranin. Agjencia nuk ka bërë të ditur vendndodhjen e saktë të anijes së goditur. Incidenti vjen pak pasi presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se SHBA-ja do ta “bombardojë pa mëshirë Omanin” nëse ky vend ndërhyn në çështjen e Ngushticës së Hormuzit, në mes të konfliktit me Iranin.

Trumpi e bëri pohimin gjatë një interviste me gazetarin e Fox News, Trey Yingst, ndërsa armëpushimi mes SHBA-së dhe Iranit pritet të përfundojë. “Nëse Omani na del përpara, do ta bombardojmë pa mëshirë”, ishte komenti i tij. Irani deklaroi javën e kaluar se është në negociata me Omanin për mënyrën e rihapjes së Ngushticës së Hormuzit, një rrugë strategjike për transportin detar të naftës.

Shtetet e Bashkuara dhe Irani nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi në qershor, me qëllim ndërprerjen e armiqësive dhe hapjen e rrugës për një “marrëveshje përfundimtare” brenda 60 ditësh për t’i dhënë fund luftës në të gjitha frontet dhe për të zgjidhur çështje të ndërlikuara, siç është programi bërthamor i Teheranit. Por afati i tij 60 ditor përfundoi një ditë më parë, pa asnjë marrëveshje konkrete deri më tani.

Top Channel