Rikthehet qetësia në bulevard, boshatisen rrugët e Tiranës pas ndërhyrjes së policisë
Policia e Shtetit ka reaguar lidhur me tensionet dhe incidentet e regjistruara gjatë protestës së sotme në Tiranë.
Në reagim, institucioni shprehet se punonjësit e Policisë janë përballur me akte të vazhdueshme dhune, të cilat, sipas tij, rrezikojnë jetën dhe shëndetin e efektivëve.
Gjithashtu, qytetarëve u kërkohet të shmangin zonat ku po zhvillohen akte dhune dhe të mos përfshihen në veprime që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.
“Gjatë protestës së ditës së sotme, punonjësit e Policisë së Shtetit janë përballur me akte të vazhdueshme dhune, të cilat rrezikojnë drejtpërdrejt jetën dhe shëndetin e tyre, si dhe sigurinë e qytetarëve.
Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në protestë të distancohen nga personat e maskuar dhe të dhunshëm, të cilët sulmojnë punonjësit e Policisë dhe institucionet, si dhe dëmtojnë pronën publike e private.
U bëjmë thirrje qytetarëve të shmangin zonat ku po ushtrohen akte dhune dhe të mos bëhen pjesë e veprimeve që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.
E drejta për të protestuar në mënyrë paqësore është e garantuar me ligj. Dhuna, sulmet ndaj punonjësve të Policisë dhe dëmtimi i pronës publike e private janë të papranueshme dhe ndëshkohen me ligj.
Çdo veprim i dhunshëm që rrezikon jetën e punonjësve të Policisë dhe të qytetarëve do të trajtohet në përputhje me ligjin.
Policia e Shtetit vijon të jetë në krye të detyrës për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, në zbatim të ligjit dhe në shërbim të qytetarëve“, thuhet në reagimin e tyre.
Top Channel