Avioni luftarak ukrainas MiG-29 rrëzohet në Odessa, shpëton piloti
Të paktën nëntë persona janë vrarë dhe 26 të tjerë janë plagosur në sulmet ruse gjatë natës në Ukrainë, ndërsa qytetet e Zaporizhias dhe Kievit u përfshinë nga një valë e re sulmesh me raketa dhe dronë.
Në qytetin e madh të Zaporizhias, gjashtë persona u vranë dhe 19 të tjerë u plagosën, sipas kreut të komandës ushtarake rajonale, Ivan Fedorov.
Fedorov njoftoi përmes Telegramit, pak pas orës 07:00, se bilanci i viktimave ishte rritur nga pesë në gjashtë të vdekur.
Sipas tij, ushtria ruse kreu një sulm “masiv” me raketa dhe bomba të drejtuara nga avionë ushtarakë. Sulmet shkaktuan dëme në ndërtesa apartamentesh dhe depo, përfshirë edhe në qendër të qytetit.
Më herët, Fedorov kishte publikuar një imazh ku shfaqej një makinë në flakë pas sulmit.
Sulme ruse u raportuan edhe në rajonin e Dnipropetrovskit, ku ushtria ruse përdori sisteme ajrore pa pilot dhe artileri.
Kreu i komandës ushtarake rajonale, Oleksandr Khanza, tha se tre persona u vranë, mes tyre një 15-vjeçar, ndërsa pesë të tjerë u plagosën. Sulmet kanë shkaktuar dëme të tjera në zonat e prekura, ndërsa autoritetet ukrainase vijojnë vlerësimin e pasojave.
Edhe Kievi u vu në shënjestër gjatë natës. Një seri shpërthimesh u dëgjuan pas mesnatës, menjëherë pas aktivizimit të alarmit për një sulm me raketa balistike.
Gazetarët e AFP raportuan për shpërthime në kryeqytet, ndërsa një zjarr u regjistrua në një depo. Deri tani është raportuar për një person të plagosur.
Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi përmes platformës Max se sulmet kishin në shënjestër “ndërmarrjet e kompleksit ushtarako-industrial dhe qendrat e transportit dhe logjistikës” në Kiev dhe Zaporizhia.
РФ МАСОВАНО АТАКУВАЛА ЗАПОРІЖЖЯ
Шість людей загинули, 19 поранені
Фото і відео: https://t.co/2LutAc3m5m pic.twitter.com/dUvdCsa5o0
— OBOZ.UA (@obozrevatel_ua) August 11, 2026
Në anën tjetër të kufirit, një sulm me dron ukrainas vrau një 49-vjeçar dhe plagosi dy persona në rajonin rus të Voronezhit.
Guvernatori rajonal Alexander Gusev tha se mbetjet e dronëve shkaktuan zjarre në depo. Sipas tij, mbrojtja ajrore ruse kapi dhe shkatërroi 15 dronë ukrainas mbi qytetin e Voronezhit dhe pesë rrethe të rajonit.
“Një rrëzim droni shkaktoi zjarre në dy depo të një kompanie të madhe”, deklaroi Gusev, pa bërë të ditur emrin e kompanisë.
Më herët, kompania Wildberries, një nga platformat më të mëdha të shitjeve online në Rusi, njoftoi se kishte evakuuar urgjentisht punonjësit nga objektet e saj në rajon për arsye sigurie.
Sulmet e reja ruse ndaj Ukrainës vijnë pas deklaratave të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, se Rusia po përgatitet të vendosë mijëra trupa të Koresë së Veriut për t’iu bashkuar luftës.
Zelensky ka deklaruar gjithashtu se Rusia ka marrë raketa të reja balistike nga Pheniani.
Forcat ruse kanë shtuar sulmet me raketa balistike gjatë javëve të fundit. Këto armë mund të interceptohen vetëm nga disa prej sistemeve të mbrojtjes ajrore në dispozicion të Ukrainës, veçanërisht sistemet Patriot, të prodhuara nga SHBA-ja.
Kievi, megjithatë, po përballet me mungesë të raketave PAC-3 për këto sisteme, situatë që sipas raportimeve është përkeqësuar që nga fillimi i luftës së SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit në fund të shkurtit.
Ndërkohë, edhe forcat ukrainase kanë intensifikuar sulmet e tyre ndaj territorit rus, kryesisht duke përdorur dronë, duke goditur infrastrukturën dhe qytete në distanca të mëdha nga kufiri.
Përshkallëzimi i sulmeve nga të dyja palët vijon të shkaktojë viktima dhe dëme, ndërsa lufta mes Rusisë dhe Ukrainës hyn në një tjetër fazë të intensifikimit të sulmeve ajrore.
Top Channel