Viktima në të majtë/ Autori në të djathtë

Policia ka bërë të mundur kapjen e autorit të dyshuar të vrasjes së 20-vjeçarit Johan Zuko në Korçë.

Pas disa orësh kërkime, Kristian Sterjo është lokalizuar dhe kapur në afërsi të banesës së tij. Ai është shoqëruar në komisariat, ndërsa policia vijon me procedurat e mëtejshme për zbardhjen e plotë të ngjarjes, raporton korrespondentja e Top Channel Dhorjela Çule.

Mësohet se pas krimit, Sterjo dyshohet se ka hedhur armën në zonën e njohur si “Fusha e Drurëve”, ku kishte qëndruar i fshehur për disa orë. Policia ka vijuar kontrollet në zonë, ndërsa arma është një prej provave materiale që po verifikohet në kuadër të hetimit.

20-vjeçari Johan Zuko mbeti i vrarë pas konfliktit, ndërsa grupi hetimor po punon për të dokumentuar rrethanat e plota të ngjarjes dhe motivin që çoi në krim.

Njoftimi:

Identifikohet, kapet dhe arrestohet, pas disa orësh kërkimesh nga shërbimet e Policisë, autori i dyshuar i vrasjes së ndodhur pasditen e djeshme në Korçë.

Vrau me armë zjarri, kallashnikov, shtetasin J. Z., 21 vjeç, pas një konflikti për motive të dobëta, arrestohet shtetasi K. S., 20 vjeç, banues në Korçë.

Sekuestrohet, në cilësinë e provës materiale, arma e zjarrit pushkë automatike, e dyshuar se është përdorur në ngjarje.

Dje, rreth orës 16:30, në lagjen nr. 15, në rrugën “Viktor Eftimiu”, Korçë, ka pasur një konflikt për motive të dobëta midis disa shtetasve, i cili është përshkallëzuar deri në përdorimin e armës së zjarrit.

Si pasojë, ka humbur jetën shtetasi J. Z., 21 vjeç.

Menjëherë pas ngjarjes, autori i dyshuar është larguar nga vendi i ngjarjes.

Pas disa orësh kërkimesh intensive, të kryera nga shërbimet e DVP Korçë, në bashkëpunim me Forcat Speciale RENEA, është bërë e mundur lokalizimi dhe kapja e 20-vjeçarit, në lagjen nr. 3, në afërsi të banesës së tij.

Në vijim të veprimeve hetimore, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e armës së zjarrit, në cilësinë e provës materiale.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj.

Top Channel