Nafta bie me 10% në bursën e Mesdheut/ Reflektohet “qetësia” në Lindjen e Mesme, por në Shqipëri vijon ende 214 lekë për litër

04/08/2026 15:46

Rritjet udhëtojnë shpejt drejt pompave të karburantit, ndërsa uljet duket se mbeten rrugës.

Ky është zhvillimi më i fundit në tregun e naftës, ku pas një rënieje të fortë të çmimit në bursën e Mesdheut, drejtuesit e automjeteve në Shqipëri vazhdojnë të paguajnë të njëjtin çmim.

Në tregjet ndërkombëtare nafta Brent ka humbur terren gjatë ditëve të fundit ndërsa edhe çmimet e karburanteve të rafinuara në bursën e Mesdheut kanë shënuar rënie të ndjeshme. Tregjet reaguan pas pritshmërive për marrëveshje të reja tregtare dhe uljes së tensioneve ndërkombëtare në Lindjen e Mesme, zhvillime që zakonisht ushtrojnë presion për uljen e çmimeve të naftës.

Por në Shqipëri efekti nuk ndihet menjëherë. Ndërsa i referohemi bursës Platts në dogana vihet re se nafta është zhdoganuar me një çmim 10% më të ulët.

Nga 29 deri më 31 korrik, çmimi i naftës në bursën e Mesdheut u rrit nga 1,393 dollarë/ton në 1,406 dollarë/ton, ose 13 dollarë për ton. Kjo rritje u reflektua menjëherë edhe në tregun shqiptar, ku më 1 gusht çmimi i naftës në pikat e karburantit u rrit nga 206 lekë/litër në 214 lekë/litër, pra 8 lekë më shumë për litër.

Ndërkohë, të dhënat e Doganave tregojnë se më 31 korrik nafta u importua me një çmim prej 1,406 dollarë/ton, ndërsa në zhdoganimin e 3 gushtit çmimi kishte rënë në 1,270 dollarë/ton.

Kjo përfaqëson një ulje prej 136 dollarësh për ton, ose rreth 9.7%. Megjithatë, pavarësisht kësaj rënieje të ndjeshme të çmimit të importit, deri tani ulja nuk është reflektuar në pompat e karburanteve në Shqipëri, ku çmimi vijon të mbetet 214 lekë për litër.

Ekspertët e tregut theksojnë se lëvizjet në bursat ndërkombëtare nuk përkthehen gjithmonë me të njëjtën shpejtësi në çmimet për konsumatorët shqiptarë.

Teksa 1 rritje prej 1% e çmimit të naftës ndikoi në vend me 8 lekë më shumë në çmimin final, një rënie me 10% mbetet për tu parë kur dhe sesa do të reflektohet.

Për momentin drejtuesit e automjeteve vijojnë të paguajnë 214 lekë për litër naftë ndërsa pritet nëse rënia e kostos së importit do të përkthehet në më pak para për xhepat e qytetarëve.

 

 

Top Channel