Pavarësisht se korriku është kulmi i sezonit turistik, bizneset kanë shfaqur më pak optimizëm për ecurinë e ekonomisë.
Vrojtimi më i fundit i Bankës së Shqipërisë bënë të ditur se Treguesi i Ndjesisë Ekonomike ra me 1 pikë gjatë korrikut, megjithëse mbetet ende 5.4 pikë mbi mesataren afatgjatë.
Rënia është ndjerë pothuajse në të gjithë sektorët. Goditjen më të madhe e ka marrë ndërtimi, ku besimi u ul me 4.6 pikë përqindje, si pasojë e vlerësimeve më të dobëta për aktivitetin dhe porositë aktuale. Edhe tregtia shënoi rënie me 3.2 pikë përqindje, ndërsa sektori i shërbimeve, që lidhet drejtpërdrejt me sezonin turistik, humbi 2.4 pikë përqindje, pasi bizneset raportuan më pak kërkesë dhe aktivitet krahasuar me një muaj më parë. Industria gjithashtu pësoi një tkurrje më të lehtë me 0.8 pikë përqindje.
Por sinjalet nuk janë të gjitha negative. Konsumatorët janë shfaqur më optimistë. Treguesi i besimit të tyre u rrit me 2.2 pikë përqindje, ndërsa ata vlerësuan më mirë situatën ekonomike, financat familjare dhe gatishmërinë për të kryer blerje të mëdha. Gjithashtu, pritjet për rritjen e çmimeve janë zbutur.
Të dhënat tregojnë se edhe pse fluksi i turistëve vazhdon të mbështesë ekonominë, nuk ka qenë i mjaftueshëm për të ruajtur optimizmin e bizneseve gjatë muajit korrik. Duket se sezoni veror po jep ndikim pozitiv te konsumatori por bizneset mbeten të kujdesshme për ecurinë e muajve në vijim.
Top Channel