Rritet inflacioni në Eurozonë/ Çmimet në 2,9%, shtohen pritshmëritë për rritjen e interesave

31/07/2026 15:29

Inflacioni në Eurozonë u rrit lehtë gjatë korrikut, duke forcuar pritshmëritë për një tjetër rritje të normave të interesit nga Banka Qendrore Europiane.

Sipas Eurostatit, inflacioni në 21 vendet që përdorin monedhën euro arriti në 2,9 për qind, nga 2,8 për qind në qershor. Rritja, e cila ishte në përputhje me parashikimet, u nxit kryesisht nga shtrenjtimi i naftës për shkak të luftës me Iranin.

Edhe inflacioni bazë, i cili përjashton çmimet e paqëndrueshme të ushqimeve dhe energjisë, u rrit nga 2,4 në 2,5 për qind. Inflacioni në sektorin e shërbimeve arriti në 3,3 për qind. Të dhënat shtojnë argumentet për rritjen e normave të interesit në mbledhjen e Bankës Qendrore Europiane më 10 shtator.

Megjithatë, përpara vendimit, banka do të ketë në dispozicion edhe të dhënat e inflacionit për muajin gusht. Shqetësimet se rritja e interesave mund të dëmtojë ekonominë janë zbutur pas rezultateve më të mira se parashikimet. Ekonomia e Eurozonës u zgjerua me 0,4 për qind në tremujorin e dytë, dyfish më shumë se sa pritej, pavarësisht kostove të larta të energjisë.

Tregjet financiare parashikojnë më shumë se dy rritje të normave deri në prill, ndërsa ekonomistët janë më të kujdesshëm dhe presin vetëm një lëvizje tjetër. Presionet mbi çmimet po frenohen pjesërisht nga ngadalësimi i inflacionit të ushqimeve, importet relativisht të lira nga Kina dhe dobësimi i presionit për rritjen e pagave.

Top Channel