Rritja e vazhdueshme e çmimeve të banesave ka detyruar qeverinë të rishikojë ligjin për strehimin social.
Në relacionin që shoqëron projektligjin pranohet se kriteret aktuale ekonomike nuk pasqyrojnë më realitetin e tregut dhe po lënë jashtë skemave të mbështetjes shumë familje që edhe pse nuk konsiderohen në nevojë ekstrem nuk kanë mundësi të blejnë një banesë.
Për këtë arsye propozohet zgjerimi i bazës së përfituesve të programit të banesave me kosto të ulët.
“Ndryshimi i kriterit ekonomik për përfitimin nga programi i banesave me kosto të ulët, nëpërmjet rritjes së kufirit të të ardhurave nga 1/6 në 1/2 të vlerës mesatare të banesës në treg, synon zgjerimin e bazës së përfituesve dhe përfshirjen e kategorive të shtresës së mesme, të cilat aktualisht nuk përfitojnë nga programet ekzistuese të strehimit social, por nuk kanë kapacitet të mjaftueshëm financiar për të siguruar akses të pavarur në tregun e banesave.”
Vet Indeksi Fischer i Bankës së Shqipërisë vuri në dukje se çmimet e banesave u rritën me 28% në fund të 2025 ndërsa rritja pritetj të vazhdonte edhe këtë vit. Sipas relacionit ndryshimi mbështetet edhe në të dhënat e INSTAT-it, Bankës së Shqipërisë dhe Eurostat-it, që tregojnë rritje të kostove të strehimit dhe ulje të përballueshmërisë.
Projektligji nuk ndalet vetëm te zgjerimi i përfituesve. Ai synon të krijojë edhe mekanizma të rinj financimi me qëllim që programet e strehimit social të mos varen vetëm nga fondet e buxhetit të shtetit. Ndër risitë është edhe krijimi i projekteve me destinacion të kombinuar, ku banesat në treg të lirë do të shërbejnë për të gjeneruar të ardhura që do të financojnë ndërtimin dhe zgjerimin e fondit të banesave sociale.
Një tjetër instrument i ri është dhe Garancia Sovrane që do të mbështesë familjet për përfitimin e kredive të lehtësuara për blerjen e banesës, ndërsa qeveria synon të rrisë edhe përfshirjen e sektorit privat në financimin e programeve të strehimit.
Nëse miratohet projektligji synon të përshtatë politikat e strehimit me realitetin e ri të tregut të banesave, ku rritja e çmimeve ka vështirësuar ndjeshëm aksesin e qytetarëve në një shtëpi të përballueshme.
Top Channel