Zjarr në Gjirokastër, flakët përfshijnë barishte dhe mbetje të ndryshme, zjarrfikësit i neutralizojnë
Në disa qytete të Shqipërisë kanë nisur protesta kundër propozimit të ri në Reformën Territoriale për bashkimin e disa bashkive në vend.
Reforma Territoriale, që fshin nga harta e bashkive Bashkinë e Dimalit, ka nxjerrë sot në shesh për të protestuar banorët e saj. Të organizuar në Pedonalen e qytetit dhe me pankarta në duar, banorët e Dimalit kanë kërkuar që qeveria të mos e prekë këtë bashki. Qytetarët kanë deklaruar se kjo bashki është qyteti ku ata duan të rrisin fëmijët e tyre, është bashkia me prodhimin më të madh bujqësor në vend.
Qytetarët kanë kërkuar njëzëri që kjo bashki të mos preket nga Reforma Territoriale, jo vetëm për shtrirjen e saj të gjerë dhe numrin e popullsisë, por edhe për vetë antikitetin dhe vlerat historike që mbart. Sipas qytetarëve, bashkimi i saj me Beratin ua vështirëson jetën dhe ekonominë, sidomos fermerëve të Njësive Administrative: Kutalli, Cukala, Poshnje etj.
Qytetarët e Dimalit kanë firmosur të gjithë në radhë edhe një peticion kundër kësaj reforme.
Në Divjakë gjithashtu ka protesta, të cilët refuzojnë bashkimin me Lushnjën. Kryebashkiaku i Divjakës, Josif Gorrea, u shpreh se ndihet i tradhtuar dhe se ende nuk e beson dot këtë lajm.
Ndërkohë, në qendër të Klosit janë mbledhur qytetarë që kundërshtojnë projekt-hartën e re administrativo-territoriale të Partisë Socialiste, e cila parashikon shkrirjen e Bashkisë Klos dhe bashkimin e saj me Bashkinë Mat.
Protestat nisën që në orët e paradites, kur edhe administrata e Bashkisë Klos bojkotoi punën për disa orë në shenjë kundërshtimi ndaj ndryshimit të propozuar. Qytetarët kërkojnë që Klosi të ruajë statusin e bashkisë më vete dhe shprehen kundër vendimmarrjeve që, sipas tyre, janë marrë pa një konsultim të gjerë me komunitetin.
Bashkia përbëhet nga 4 njësi administrative: Klos, Xibër, Suç dhe Gurrë, me qendër qytetin e Klosit.
Protesta ka gjithashtu edhe në Përrenjas, ku banorët e zonës refuzojnë bashkimin me Librazhdin.
Top Channel