“Zgjodha Brazilin për shkak të…”/ Ancelotti pranon kontaktet me Italinë, tekniku ndalet dhe te Botërori: Ishte i fundit për Neymarin

30/07/2026 11:56

Carlo Ancelotti ka zbuluar se ka qenë në kontakt me Federatën Italiane të Futbollit për mundësinë e marrjes së drejtimit të kombëtares së Italisë, por vendosi të mos e pranojë ofertën për shkak të angazhimit që ka ndaj Brazilit.

Trajneri italian, në një intervistë për ESPN, konfirmoi se emri i tij ishte diskutuar për stolin e “Axurrëve”, por shpjegoi se vendimi i tij lidhej më shumë me një përgjegjësi personale sesa me aspektin kontraktual.

“Kam qenë në kontakt me Federatën Italiane, por nuk ishte një çështje kontrate, por më shumë një angazhim. Bëra një angazhim jo për shkak të kontratës që nënshkruam, por për shkak të kohës që kalova këtu, gjatë së cilës u ndjeva shumë mirë dhe u prita në mënyrën më të mirë të mundshme. Është një angazhim që nuk dua ta thyej. Dua të vazhdoj të punoj dhe të jap gjithçka për ekipin kombëtar brazilian”, deklaroi Ancelotti.

Tekniku italian foli edhe për ndryshimet e mëdha që priten te Brazili, duke theksuar se Kombëtarja braziliane po përgatitet për një ndryshim gjenerate pas largimit gradual të disa prej veteranëve.

“Sipas meje, kjo Kupë Bote shënon fundin e një brezi lojtarësh shumë të rëndësishëm. Duke filluar me Neymarin, por edhe Danilo, Casemiro dhe të gjithë ata lojtarë që ishin mbi 30 vjeç”, tha Ancelotti.

Ai foli edhe për situatën e Neymarit, duke shprehur keqardhjen që sulmuesi nuk ishte në gjendjen optimale fizike.

“E vetmja gjë që më shqetësoi ishte se Neymar mund të ishte stërvitur më mirë gjatë asaj periudhe, të ishte përgatitur më mirë dhe të kishte qenë në formë më të mirë për ndeshjen e parë dhe jo të katërtën”, u shpreh trajneri italian.

Ancelotti theksoi se Brazili nuk do të bëjë një ndryshim total të skuadrës, por do të ndërtojë një përzierje mes eksperiencës dhe talenteve të rinj.

“Nuk do të them se do t’i zëvendësoj të 26 lojtarët. Do të mbajmë disa lojtarë kyç që mund të vazhdojnë punën. Është e rëndësishme që ata të qëndrojnë për t’i dhënë vazhdimësi projektit. Por ideja është të ndryshojmë dhe të integrojmë një brez të ri”, tha ai.

Trajneri i Brazilit përmendi disa prej talenteve që pritet të kenë rol të rëndësishëm në të ardhmen, si Estêvão, Rayan, Endrick dhe Vitor Reis.

Sipas Ancelottit, objektivi nuk është vetëm Kupa e Botës 2030, por që Brazili të jetë konkurrues që në turneun e ardhshëm të Copa America në vitin 2028.

Top Channel