Gazetarja Anila Hoxha, këtë mbrëmje në Top Story ka zbuluar detaje të reja në lidhje me arrestimin e Ermal Beqirajt në Francë, ndaj të cilit është lëshuar dhe urdhër arresti nga vendi jonë.
Ai dyshohet i përfshirë në përfitimin e 18 tenderave në mënyrë të paligjshme, teksa hetohet në kuadër të dosjes së njohur si “AKSHI”.
Sipas gazetares, autoritetet franceze dyshojnë se Beqiraj ka në pronësi dy avionë, ndërsa në Shqipëri më herët i është sekuestruar edhe një jaht.
“Dyshohet se veç avionit privat që po pilotonte, sipas autoriteteve franceze, mendohet se ka dhe një avion të dytë. Nga lista e pasurive të sekuestruara në dosjen e AKSHI, dyshohet se i përket dhe një jaht i sekuestruar në Shqipëri, që dyshohet se ka vlerë afro 1 milion euro, ka dhe apartamente, troje… në total disa milionë euro. Ai dyshohet në të paktën 18 tendera ku bashkë me persona të tjerë i kanë përfituar në mënyrë të paligjshme.
Autoritetet tona aktualisht po përpilojnë porosinë e radhës për ta ekstraduar nga Franca drejt Shqipërisë”, tha gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha.
Top Channel