Kapet “Djalli” i drogës/ Arrestohet bosi më i kërkuar i drogës në Kosta Rika, SHBA kërkonte ekstradimin

25/07/2026 13:40

Alejandro Arias Monge, i njohur me nofkën “El Diablo”, u arrestua gjatë një operacioni të zhvilluar në Rio Frío, rreth 90 kilometra në verilindje të San Hozes.

Për kapjen e tij, autoritetet amerikane kishin shpallur një shpërblim prej 500 mijë dollarësh. Sipas autoriteteve, Arias ishte drejtuesi i një organizate të dhunshme kriminale ndërkombëtare dhe kërkohej për trafik droge, vrasje, grabitje dhe pastrim parash. Prokurori i Përgjithshëm i Kosta Rikës bëri të ditur se ekstradimi i tij do të shqyrtohet nëse SHBA paraqet një kërkesë zyrtare.
Operacioni u kthye në një përplasje të armatosur që zgjati rreth 45 minuta. Një person i dyshuar si pjesëtar i grupit kriminal mbeti i vrarë, tetë efektivë policie u plagosën, ndërsa u arrestuan edhe dy persona të tjerë, mes tyre një tjetër bos i kërkuar. Drejtori i Organit të Hetimit Gjyqësor deklaroi se në banesën ku u zhvillua operacioni ndodheshin tre personat më të kërkuar në vend, grupet e të cilëve dyshohen se lidhen me rreth 360 vrasje, afro 200 prej tyre vetëm nga organizata e Ariasit.
Gjatë operacionit u sekuestruan armë automatike, pistoleta dhe dronë që përdoreshin për të monitoruar lëvizjet e policisë. Hetuesit dyshojnë se Arias ishte fshehur për një periudhë në Nikaragua dhe kishte qenë në arrati për më shumë se dhjetë vjet, pasi kishte shmangur gjyqin për një vrasje.

Top Channel