Pas ditësh shprese, takimesh dhe kontaktesh të vazhdueshme, Paolo Maldini është detyruar të pranojë “jo”-në e Pep Guardiolës. Përgjigjja e teknikut katalanas ka mbërritur në natën mes të enjtes dhe të premtes.

Refuzimi erdhi nga një njeri i stimuluar dhe i nderuar për propozimin për t’u ulur në pankinën e “Azzurrëve” si trajner, por i cili thellë në zemër e kishte marrë tashmë një vendim për të ardhmen e tij.

Dëshira e Guardiolës ishte të merrte një vit pushim nga roli i trajnerit, gjë që nuk i kishte ndodhur që nga sezoni 2012/13. Më pas erdhën tre vitet te Bayern Munich dhe dhjetë sezonet te Manchester City, pas të cilave Pep kishte njoftuar se dëshironte të pushonte dhe t’i përkushtohej familjes.

Vetëm propozimi i përbashkët i presidentit të federatës Giovanni Malagò, drejtorit teknik Paolo Maldini dhe këshilltarit Leonardo e kishin bërë atë të lëkundej. Pep mori disa ditë kohë për të reflektuar, i tunduar nga kjo mundësi e madhe. Federata, e cila deri në mbrëmjen e së enjtes kishte besim se do të arrinte ta bindte trajnerin, do ta ndihmonte atë duke i vendosur në krah një staf të nivelit të lartë, për t’i mundësuar një punë me më pak presion.

Në fund, mbizotëroi dëshira për të shkëputur prizën dhe për të mos rinisur menjëherë punën në një rol që do ta kishte përthithur sërish plotësisht. Zgjedhja e Guardiolës nuk u diktua nga faktorë ekonomikë, por para së gjithash ishte një zgjedhje jete e lidhur ngushtë me situata personale dhe familjare.

“Jo”-ja e Guardiolës, Maldini përshpejton për Pirlon

Kush do të jetë, pra, trajneri i ri i “Azzurrëve”? Në pole position kalon Andrea Pirlo, profili i preferuar i Maldinit dhe Leonardos.

Tani që u mbyllën dyert për ëndrrën Guardiola, dy drejtuesit e FIGC (Federata Italiane e Futbollit) kanë ndërmend të përshpejtojnë hapat për teknikun aktual të United FC të Dubait, i cili konsiderohet i duhuri për misionin e rindërtimit të kombëtares me një projekt afatmesëm dhe afatgjatë.

Sipas informacioneve të mbledhura, as Roberto Mancini dhe as Antonio Conte nuk janë kontaktuar në orët e fundit, një tjetër indicie kjo që e çon Pirlon shumë pranë pankinës së Italisë. Fillimisht, ai do të duhet të lirohet nga kontrata me klubin e Emirateve të Bashkuara Arabe, por kjo nuk shihet si pengesë: zgjidhja e marrëveshjes me United FC mund të vijë që sot.

Në këtë mënyrë, po mbizotëron linja e drejtorit teknik dhe këshilltarit të tij, pavarësisht se Liga e Serie A shtynte fort për emrin e Antonio Contes, ndërsa presidenti i federatës, Giovanni Malagò, synonte fillimisht te miku i tij Roberto Mancini.

Top Channel