Josimar José Évora Dias, i njohur si Vozinha, është një nga historitë më të veçanta të Kupës së Botës 2026. Portieri veteran nga Kepi i Gjelbër, i cili kishte ndërtuar karrierën e tij në kampionate modeste si ato të Kepit të Gjelbër, Angolës, Portugalisë, Rumanisë dhe Qipros, është shndërruar në një fenomen global.

Popullariteti i tij është rritur ndjeshëm, duke e bërë portierin me më shumë ndjekës në Instagram. Aktualisht, Vozinha numëron 28.3 milionë ndjekës, duke lënë pas emra të mëdhenj si Thibaut Courtois, Manuel Neuer dhe legjendën Iker Casillas.

Suksesi i tij nuk është reflektuar vetëm në rrjetet sociale. Sipas përditësimit të fundit të Transfermarkt, vlera e Vozinhas në treg është rritur me plot 900%, rritja më e madhe në përqindje mes të gjithë futbollistëve pas Kupës së Botës. Nga 50 mijë euro, vlera e tij tashmë ka arritur në 500 mijë euro.

Ky rritim i jashtëzakonshëm erdhi falë paraqitjeve mbresëlënëse në Botëror. Vozinha ishte një nga protagonistët kryesorë në barazimin historik të Kepit të Gjelbër ndaj Spanjës, ku realizoi disa pritje vendimtare. Më pas, ai shkëlqeu edhe ndaj Arabisë Saudite, duke ndihmuar kombëtaren e tij të siguronte kualifikimin në fazën me eliminim direkt.

Edhe në ndeshjen ndaj Argjentinës, portieri zhvilloi një tjetër paraqitje të shkëlqyer. Falë pritjeve të tij, kampionët e botës u vunë në vështirësi serioze përpara se të fitonin me rezultatin 3-2, duke i dhënë fund një prej historive më frymëzuese të këtij Botërori.

Rritja e famës së tij bëri që FIFA ta ftonte edhe në ndeshjen e legjendave të organizuar para finales së Kupës së Botës, ku ndau fushën me emra të mëdhenj si Cafu, Javier Zanetti, Davor Šuker dhe David Trezeguet.

Megjithatë, pavarësisht suksesit të madh, Vozinha vazhdon të jetë pa klub. “Shpresoj që së shpejti të gjej një ekip dhe të vazhdoj të luaj futboll. Nuk ka nxitim. Ka shumë zëra, por ende asgjë konkrete,” deklaroi portieri, për të cilin tashmë interesimi vjen nga shumë vende të botës.

Top Channel