E ardhmja e heroit të finales në dyshim, Ferran Torres mes qëndrimit në “Camp Nou” dhe Francës. Pritet takim me Laportën

20/07/2026 16:35

Ferran Torres u bë heroi i Spanjës në finalen e Kupës së Botës 2026, duke shënuar golin që i siguroi “La Roja”-s titullin e dytë botëror. Sulmuesi i Barcelonës ndoqi gjurmët e Andres Iniestës, i cili 16 vite më parë i dhuroi Spanjës trofeun e parë me golin historik në finalen ndaj Holandës.

Paraqitjet e shkëlqyera në Botëror kanë rritur ndjeshëm vlerën e 26-vjeçarit, ndërsa interesimi për të sa vjen e shtohet. Paris Saint-Germain vazhdon ta monitorojë nga afër situatën e tij dhe nuk përjashtohet një ofertë gjatë kësaj vere.

Sipas mediave spanjolle, drejtuesit e Barcelonës do të zhvillojnë javën e ardhshme një takim me Ferran Torres për të diskutuar të ardhmen e tij. Pas përfundimit të Botërorit, klubi katalanas dëshiron të mësojë nga vetë lojtari nëse ai synon të vazhdojë në “Camp Nou” apo është i hapur për një aventurë të re.

Kontrata e Torres me Barcelonën skadon pas një viti, ndërsa rinovimi nuk pritet të diskutohet para muajit shtator. Arsyeja lidhet me kufizimet financiare të klubit dhe një klauzolë në marrëveshjen e transferimit nga Manchester City, e cila do ta detyronte Barcelonën të paguante edhe 8 milionë euro shtesë në rast të zgjatjes së kontratës.

Megjithatë, në Barcelonë mbizotëron qetësia. Klubi e konsideron Ferran Torres një pjesë të rëndësishme të projektit sportiv, sidomos në një periudhë kur ende nuk është gjetur pasuesi ideal i Robert Leëandoëskit në repartin ofensiv.

Botërori vetëm sa ka forcuar pozitat e sulmuesit valencian. Përveç golit vendimtar në finale ndaj Argjentinës, ai ishte protagonist edhe në gjysmëfinalen kundër Portugalisë, ku asistoi për golin e Mikel Merinos, duke konfirmuar edhe një herë cilësitë e tij si finalizues dhe krijues loje.

Me fanellën e kombëtares spanjolle, Ferran Torres ka realizuar tashmë 25 gola në 65 ndeshje që nga debutimi në vitin 2020. Ai renditet mes golashënuesve më të mirë në historinë e “La Roja”-s dhe është vetëm një gol larg legjendës Emilio Butragueño.

Edhe te Barcelona statistikat e tij janë mbresëlënëse. Që nga transferimi në janar të vitit 2022, Torres ka shënuar 65 gola në 207 ndeshje zyrtare, duke u kthyer në një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës.

Pas festimeve për triumfin në Botëror, Ferran Torres pritet të marrë një vendim të rëndësishëm për karrierën e tij. Barcelona dëshiron ta mbajë në ekip, por interesimi i PSG-së mund ta bëjë verën e tij një nga telenovelat më të mëdha të merkatos.

Top Channel