Botërori rihap garën për “Topin e Artë”, lideri i mesfushës së Spanjës merr avantazhin pas triumfit në finale

20/07/2026 18:03

Triumfi i Spanjës në Kupën e Botës 2026 ka ndryshuar ndjeshëm garën për fitimin e “Topit të Artë”, një çmim që këtë vit nuk ka një favorit të padiskutueshëm.

Nëse Argjentina do të kishte fituar finalen, Lionel Messi do të ishte kandidati kryesor për të ngritur për herë të nëntë trofeun e prestigjioz të revistës France Football. Kapiteni argjentinas e mbylli Botërorin me tetë gola dhe katër asistime, por paraqitja jo bindëse në finalen e humbur ndaj Spanjës mund t’i zbehë shanset për çmimin individual.

Edhe Lamine Yamal konsiderohej një nga pretendentët kryesorë, pas sezonit të suksesshëm me Barcelonën ku fitoi La Ligën. Megjithatë, talenti spanjoll nuk shkëlqeu në finalen e Botërorit dhe e mbylli turneun me vetëm një gol, të shënuar në ndeshjen ndaj Arabisë Saudite.

Ndërkohë, lojtari që ka fituar më shumë terren në këtë garë është Rodri. Mesfushori dhe kapiteni i Spanjës, fitues i “Topit të Artë” në vitin 2024, pati një sezon jo aq të spikatur me Manchester City, por në fazën me eliminim direkt të Botërorit u shndërrua në liderin e skuadrës së Luis de la Fuente.

Paraqitjet e tij u shpërblyen edhe me çmimin e lojtarit më të mirë të Botërorit, duke e bërë Rodrin një nga favoritët kryesorë për të fituar sërish “Topin e Artë”.

Megjithatë, historia mund të përsëritet. Ashtu si në vitin 2010, kur Xavi dhe Andres Iniesta ndanë votat pas triumfit të Spanjës në Botëror dhe Lionel Messi fitoi çmimin, edhe këtë herë votat mes yjeve të kombëtares spanjolle mund të shpërndahen, duke lënë të hapur garën për trofeun më të rëndësishëm individual në futboll.

Top Channel