LIVE SPANJË-ARGJENTINË/ Ende asnjë gol në New Jersey, De La Fuente hedh në sulm yjet e Barcelonës (Video)
Jude Bellingham vazhdon të shkruajë emrin e tij në historinë e futbollit anglez.
Ylli i Real Madridit është bërë golashënuesi më i mirë i Anglisë në një edicion të vetëm të Kupës së Botës, pas golit të shënuar në fitoren spektakolare 6-4 ndaj Francës për vendin e tretë.
Ndeshja në stadiumin e Miami-t dhuroi një nga përballjet më emocionuese të këtij Botërori, me plot 10 gola, duke u bërë sfida me më shumë gola në një Kupë Bote që nga viti 1982, kur Hungaria mposhti El Salvadorin 10-1.
Përballja ishte një festival ofensiv, ku Anglia e Thomas Tuchel dha një përgjigje të fortë ndaj kritikëve me një paraqitje spektakolare, ndërsa Franca nuk u dorëzua deri në fund.
Kur Franca u afrua në rezultat me golin e Ousmane Dembeles për 5-4, Anglia rrezikoi të humbiste kontrollin e ndeshjes. Por në momentin vendimtar ishte pikërisht Bellingham ai që mori përgjegjësinë.
Mesfushori anglez avancoi drejt zonës dhe realizoi golin që vulosi fitoren, duke arritur në kuotën e 7 golave në këtë Botëror.
Kjo shifër e bëri atë lojtarin e parë anglez që shënon kaq shumë gola në një edicion të vetëm të Kupës së Botës, duke lënë pas dy legjendat e kombëtares:
Gary Lineker, autor i 6 golave në Botërorin 1986;
Harry Kane, që arriti 6 gola në Botërorin 2018.
Rekordi i Lineker qëndroi për më shumë se tre dekada, deri sa Kane e barazoi në Rusi, ndërsa tashmë Bellingham ka vendosur një standard të ri për Anglinë.
Bellingham pati mundësinë të shtonte edhe një gol tjetër në këtë Botëror, pasi Anglia fitoi një penallti në pjesën e dytë. Megjithatë, ai ia la topin Bukayo Sakas, i cili realizoi nga pika e bardhë.
Pas ndeshjes, Saka zbuloi se ky ishte një vendim i planifikuar.
“Jo, Jude nuk do ta merrte penalltinë. Ai ishte i pari që më tha: shko dhe merr tripletën. Asnjë prej tyre nuk erdhi të më shpërqendronte, sepse unë do ta gjuaja gjithsesi”, tha Saka për BBC.
Top Channel