Spanjë-Argjentinë, konferencë spektalël para finales, Djokovic e Tom Brady bëhen gazetarë
Trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente, ka folur me optimizëm para finales së Kupës së Botës ndaj Argjentinës, duke e cilësuar arritjen në ndeshjen vendimtare si një privilegj, por duke theksuar se objektivi i vetëm është fitimi i trofeut.
“Është një privilegj të jesh në finale. Për mua, gjëja më e rëndësishme është ta fitosh atë. Do ta pranoja me kënaqësi të arrija çdo vit në finale, edhe nëse do ta humbisja. Tani do ta shijojmë këtë moment me forcat dhe cilësitë tona përballë një kundërshtari që ka bërë një rrugëtim spektakolar”, u shpreh De la Fuente.
Tekniku spanjoll parashikoi një përballje të nivelit të lartë mes dy skuadrave.
“Do të jetë një spektakël i madh, me dy ekipe fantastike dhe shumë të ngjashme me njëri-tjetrin. Secila do të përpiqet ta çojë ndeshjen aty ku ndihet më komode”, tha ai.
De la Fuente qetësoi tifozët edhe për gjendjen e talentit Lamine Yamal, duke konfirmuar se sulmuesi është plotësisht i gatshëm për finalen.
“Lamine është mirë dhe në formë perfekte fizike”, deklaroi trajneri.
Trajneri spanjoll kujtoi edhe një episod të ndodhur më shumë se dy dekada më parë, kur drejtonte ekipet e moshave të Sevillas dhe u përball për herë të parë me Lionel Messin.
“Më thanë të kisha kujdes nga ky Messi. Vendosa një lojtar ta markonte gjatë gjithë kohës, por kur rezultati ishte 0-0 në minutën e 70-të ai mori karton të verdhë dhe e zëvendësova. Ndryshova edhe strategjinë… Messi më shënoi katër gola në vetëm 15 minuta”, rrëfeu ai.
Megjithatë, De la Fuente sqaroi se Spanja nuk do të aplikojë markim individual ndaj kapitenit argjentinas.
“Kjo nuk do të thotë se do ta markojmë njeri me njeri, por sigurisht që duhet t’i kushtojmë vëmendje të veçantë. Edhe sot ai është një shembull për sportistët e rinj, si për qëndrimin ashtu edhe për sjelljen e tij. Ajo që po bën në këtë Kupë Bote, në moshën e tij, është e jashtëzakonshme.”
Trajneri zbuloi gjithashtu se ka kërkuar këshilla nga Vicente del Bosque, njeriu që udhëhoqi Spanjën drejt triumfit në Kupën e Botës 2010.
“Ai është një njeri i mençur i futbollit. E ka përjetuar këtë situatë dhe nuk ka njeri më të përshtatshëm për të dhënë këshilla”, tha De la Fuente.
Në fund, ai vlerësoi edhe homologun e tij Lionel Scaloni, të cilin e konsideron mik.
“Mendoj se kemi shumë gjëra të përbashkëta. Unë dhe Scaloni ndajmë të njëjtat koncepte, vlera dhe parime që frymëzojnë të dyja kombëtaret. Për këtë arsye pres një finale të madhe”, përfundoi trajneri i Spanjës.
Top Channel