Spanjë-Argjentinë, konferencë spektalël para finales, Djokovic e Tom Brady bëhen gazetarë
Trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, ka reaguar ndaj kritikave të forta të Presidentit amerikan Donald Trump, pas eliminimit të “Tre Luanëve” nga Kupa e Botës 2026 në humbjen dramatike 2-1 ndaj Argjentinës.
Anglia u eliminua në gjysmëfinale pasi pësoi dy gola në shtatë minutat e fundit të ndeshjes, ndërsa strategjia mbrojtëse e Tuchel është kritikuar ashpër nga tifozët, ish-futbollistët dhe mediat.
Edhe Donald Trump komentoi vendimet taktike të teknikut gjerman, duke vënë në pikëpyetje mënyrën se si u përdor kapiteni Harry Kane.
“Mendoj se ndoshta bënë një gabim kur e kthyen në një lojtar mbrojtës. Çfarë di unë për futbollin? Morën avantazhin dhe lojtarin e tyre më të mirë e vendosën në mbrojtje. Ishte paksa e pazakontë”, deklaroi Trump gjatë një aktiviteti me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino.
I pyetur për komentet e Trump, Tuchel reagoi me ironi.
“Po përdorni Donald Trump si ekspert për këtë çështje?”, tha ai.
Trajneri shpjegoi se Anglia ishte detyruar të mbrohej thellë për shkak të rrjedhës së ndeshjes.
“Ne u mbrojtëm në bllok të ulët. Kështu funksionon futbolli kur skuadra shtyhet prapa. Mbrojmë si dhjetë dhe si njëmbëdhjetë lojtarë”, u shpreh Tuchel.
Në konferencën për shtyp para ndeshjes për vendin e tretë ndaj Francës, 52-vjeçari mori përgjegjësinë për eliminimin, por refuzoi të fajësojë lojtarët.
“Unë marr përgjegjësinë. Nëse është më e lehtë që dikush të marrë fajin, atëherë e marr unë. Por nuk do të përfshihem në lojën e fajësimeve. Nuk ka një person të vetëm për t’u fajësuar.”
Ai pranoi se humbja ndaj Argjentinës është një plagë që do ta shoqërojë skuadrën për një kohë të gjatë.
“Është një humbje shumë e dhimbshme. Është dhimbja jonë dhe do të mbetet një plagë për ne.”
Kritika të forta edhe nga legjendat angleze
Vendimet taktike të Tuchel kanë shkaktuar reagime të ashpra edhe në Angli. Ish-sulmuesi Michael Owen e cilësoi paraqitjen si “të turpshme”, ndërsa ish-mesfushori Nicky Butt i quajti zgjedhjet taktike “krejtësisht të çmendura”, duke kërkuar madje shkarkimin e trajnerit.
Megjithatë, Federata Angleze e Futbollit vazhdon ta mbështesë Tuchel, i cili ka kontratë deri pas Euro 2028 dhe ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend të largohet.
Tekniku gjerman pranoi se Anglia ende nuk është në nivelin e kombëtareve si Argjentina, Franca dhe Spanja, të cilat kanë ndërtuar një mentalitet fitues ndër vite.
“Ekziston ende një diferencë që duhet ta mbyllim. Ajo shihet në mënyrën se si këto skuadra luajnë nën presion dhe në përvojën që kanë ndërtuar duke fituar trofe.”
Top Channel