Pishina nuk është vetëm një mënyrë për të kaluar ditët e nxehta të verës.
Në pishinën olimpike të Durrësit, dhjetëra fëmijë mësojnë çdo ditë notin nën drejtimin e instruktorëve profesionistë. Përmes programeve të përshtatura sipas moshës dhe nivelit të tyre, ata familjarizohen me ujin, përvetësojnë teknikat bazë dhe fitojnë siguri.
Për prindërit, noti është shumë më tepër se një aktivitet veror. Ai ndihmon në zhvillimin fizik të fëmijëve, forcon vetëbesimin dhe disiplinën, ndërsa u mëson një aftësi të rëndësishme për jetën.
“Noti është një aftësi e rëndësishme që çdokush, në çdo moshë, duhet ta mësojë dhe ta zotërojë.”, shprehet një qytetar.
Në një qytet bregdetar si Durrësi, të dish të notosh është domosdoshmëri.
Kjo është arsyeja pse çdo verë gjithnjë e më shumë familje zgjedhin t’i regjistrojnë fëmijët në kurset e pishinës publike, ku sporti, higjiena dhe edukimi për sigurinë në ujë mbeten tejet të rëndësishme.
Top Channel