“Ekonomia e turizmit po paguan situatën”, Gonxhja: Ka rënie të ritmit të rritjes së vizitorëve, shkak klima e krijuar nga protestat

17/07/2026 21:13

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ka deklaruar se të dhënat e muajit qershor tregojnë një ngadalësim të ritmit të rritjes së turizmit në Shqipëri, ndonëse vendi mbetet në territor pozitiv për sa i përket hyrjeve të shtetasve të huaj.

Sipas tij, në qershor 2026 u regjistruan 1,346,279 vizitorë të huaj, ose 17,075 më shumë se në të njëjtin muaj të vitit 2025, një rritje prej 1.28%. Për gjashtëmujorin e parë të vitit, sipas Gonxhes, Shqipëria priti 5,059,069 vizitorë të huaj, ose 6.25% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Gonxhja thekson se ritmi i rritjes është ngadalësuar krahasuar me muajt e mëparshëm, ndërsa veçon edhe rënien e numrit të vizitorëve nga disa tregje kryesore, si Kosova, Maqedonia e Veriut, Gjermania, Turqia dhe Mali i Zi. Sipas tij, vetëm nga këto pesë vende janë regjistruar 96,852 vizitorë më pak në qershor, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2025.

“Në një sektor si turizmi, perceptimi i sigurisë, normalitetit dhe stabilitetit është vendimtar. Klima e krijuar nga protestat, tensioni publik dhe imazhi negativ i përcjellë në tregjet e huaja kanë rritur pasigurinë dhe kanë ndikuar në vendimmarrjen e vizitorëve, grupeve turistike dhe partnerëve ndërkombëtarë. Nga operatorët turistikë, hotelierët dhe agjencitë e udhëtimit konfirmojnë shqetësimet për ngadalësimin e rezervimeve, anulimet dhe hezitimin nga tregjet e huaja”, shprehet ai.

Reagimi i plotë:

Ashtu siç kemi paralajmëruar, ekonomia e turizmit paguan situatën! Shqipëria mbetet në territor pozitiv sa u takon hyrjeve të shtetasve të huaj, por të dhënat e qershorit tregojnë një ngadalësim të qartë të ritmit të rritjes.

Në qershor 2026, vendi regjistroi 1,346,279 vizitorë të huaj, krahasuar me 1,329,204 në qershor 2025. Kjo përfaqëson një rritje prej vetëm 17,075 vizitorësh, ose +1.28%. 91.8% më pak krahasuar me rritjen e muajit maj 2026 ose 12.2 herë më e ulët si rritje, dhe 84.1% më pak krahasuar me trendin e rritjes në 5-mujorin janar-maj 2026 ose 6.3 herë më e ulët si rritje!

Për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, u regjistruan 5,059,069 vizitorë të huaj, krahasuar me 4,761,648 në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Rritja totale është 297,421 vizitorë, ose +6.25%.

Megjithatë, deri në muajin maj, rritja ishte +8.2%. Me përfshirjen e të dhënave të qershorit, ritmi i rritjes zbret në +6.25%, çka nënkupton një ngadalësim prej rreth -24% të dinamikës së rritjes.

Ky sinjal bëhet edhe më i qartë kur analizohen hyrjet nga disa tregje kryesore për ne. Në qershor 2026, krahasuar me qershorin 2025, u regjistrua rënie e numrit të vizitorëve në vendin tonë nga:

Kosova: 51,190 vizitorë më pak

Maqedonia: 15,223 vizitorë më pak

Gjermania: 13,165 vizitorë më pak

Turqia: 11,062 vizitorë më pak

Mali i Zi: 6,212 vizitorë më pak

Vetëm këto pesë tregje, të marra së bashku, sollën 96,852 vizitorë më pak, ose -13.00% krahasuar me qershorin e vitit të kaluar.

Në një sektor si turizmi, perceptimi i sigurisë, normalitetit dhe stabilitetit është vendimtar. Klima e krijuar nga protestat, tensioni publik dhe imazhi negativ i përcjellë në tregjet e huaja kanë rritur pasigurinë dhe kanë ndikuar në vendimmarrjen e vizitorëve, grupeve turistike dhe partnerëve ndërkombëtarë. Nga operatorët turistikë, hotelierët dhe agjencitë e udhëtimit konfirmojnë shqetësimet për ngadalësimin e rezervimeve, anulimet dhe hezitimin nga tregjet e huaja.

Turizmi nuk është vetëm statistikë. Është ekonomi reale, vende pune, të ardhura për familjet dhe imazh kombëtar.
Prandaj, është thelbësore për të gjithë të mbrojmë industrinë turistike nga çdo axhendë destabilizuese e konfliktuale!

 

Top Channel