Lajme të mira për Anglinë para ndeshjes me Argjentinën, ylli i “Tre Luanëve” kthehet në formacion

14/07/2026 11:17

Kombëtarja e Anglisë ka marrë një lajm pozitiv në prag të gjysmëfinales së Kupës së Botës ndaj Argjentinës.

Mesfushori Declan Rice ka treguar përmirësim të ndjeshëm në gjendjen e tij fizike dhe pritet të jetë titullar në sfidën e madhe kundër Lionel Messit me shokë.

Mesfushori i Arsenalit u zëvendësua në pushimin e ndeshjes çerekfinale ndaj Norvegjisë, të fituar 2-1 pas kohës shtesë, pasi kishte luajtur i kushtëzuar nga disa shqetësime fizike që e kishin shoqëruar gjatë ditëve të fundit.

Sipas raportimeve nga grumbullimi i Anglisë në Kansas City, Rice është stërvitur mirë në orët e fundit dhe trajneri Thomas Tuchel pritet t’i besojë një vend në formacionin titullar për përballjen me Argjentinën.

Ndërkohë, mbeten pikëpyetje për aktivizimin e mbrojtësit Ezri Konsa, i cili u detyrua të largohej nga fusha në ndeshjen ndaj Norvegjisë për shkak të ngërçeve.

Nga ana tjetër, Tuchel po vlerëson edhe mundësinë për ta nisur nga minuta e parë Bukayo Sakën. Sulmuesi i Arsenalit ishte një nga lojtarët më të mirë në çerekfinale, pasi hyri nga stoli dhe dha një ndikim të menjëhershëm në lojën e “Tre Luanëve”.

Gjysmëfinalja mes Anglisë dhe Argjentinës do të zhvillohet mbrëmjen e së mërkurës në Atlanta dhe pritet të jetë një nga sfidat më spektakolare të këtij Botërori.

Top Channel