Kaosi te Senegali vazhdon/ Me skuadrën prej 10 vitesh, shkarkohet mjeku pasi u zbulua se ishte… gjinekolog

14/07/2026 11:42

Pas një Botërori të shoqëruar me probleme organizative, Senegali ka nisur një fazë ndryshimesh në strukturat e kombëtares.

Presidenti i federatës së futbollit të vendit, Abdoulaye Fall, ka njoftuar ndërprerjen e bashkëpunimit me mjekun e ekipit kombëtar, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e funksionimit të stafit.

“Mjeku i kombëtares, Dr. Fedior, ka qenë me ne prej 10 vitesh dhe është gjinekolog me profesion. Lojtarët nuk ishin të bindur prej tij dhe, në fakt, ai nuk kishte kualifikimet akademike për t’i trajnuar ata”, deklaroi Fall gjatë një konference për shtyp.

Takimi me mediat ishte organizuar fillimisht për të sqaruar situatën pas shkarkimit të trajnerit Pape Thiaw, i cili sipas federatës kishte qenë për muaj të tërë pa kontratë dhe pa pagë, përpara se të firmoste marrëveshjen vetëm në prag të ndeshjes së dytë të Botërorit ndaj Norvegjisë.

“Mes Thiaw dhe nesh pati një prishje besimi. Ai mendonte se drejtuesit e federatës ishin armiqtë e tij dhe kjo ndikoi në funksionimin e kombëtares”, u shpreh Fall.

Sipas presidentit të federatës, Thiaw kishte kërcënuar se nuk do të udhëtonte drejt Botërorit nëse nuk plotësoheshin kërkesat e tij financiare për një rritje page. Ndërhyrja e presidentit të Senegalit, Bassirou Diomaye Faye, bëri që trajneri të ndryshonte mendim në ditën kur skuadra duhej të nisej drejt Shteteve të Bashkuara.

Tashmë Senegali po kërkon një trajner të ri për të udhëhequr projektin e ardhshëm, ndërsa një nga emrat që po qarkullon për stolin është ai i Patrick Vieira. Ish-mesfushori francez dhe trajneri me eksperiencë në Premier League shihet si një kandidat potencial për të marrë drejtimin e kombëtares afrikane.

Top Channel