Infantino do 64 skuadra, gjashtë përfaqësuese sigurojnë pjesëmarrjen në Botërorin 2030 pa u mbyllur ai i 2026-ës

14/07/2026 10:28

Edhe pse Kupa e Botës 2026 është ende në zhvillim dhe po i afrohet fundit, gjashtë kombëtare e kanë siguruar tashmë pjesëmarrjen në Botërorin 2030.

Bëhet fjalë për Spanjën, Portugalinë dhe Marokun, tre vendet organizatore kryesore të turneut, si edhe Argjentinën, Uruguain dhe Paraguain, të cilat do të presin ndeshjet përkujtimore të 100-vjetorit të Kupës së Botës. Si vende pritëse, të gjashta kombëtaret janë kualifikuar automatikisht.

Ndërkohë, pjesa tjetër e vendeve do të sigurohet përmes fazave eliminatore kontinentale, që pritet të zhvillohen gjatë viteve 2027-2029.

Në të njëjtën kohë, FIFA po shqyrton seriozisht mundësinë e një zgjerimi tjetër të turneut. Presidenti Gianni Infantino po mbështet idenë që Botërori 2030 të zhvillohet me 64 kombëtare, në vend të formatit aktual me 48 skuadra. Nëse miratohet, ky do të ishte zgjerimi më i madh në historinë e Kupës së Botës.

Top Channel