Sorloth shpërdoroi rastin e artë ndaj Anglisë, e dashura e tij bëhet objekt kërcënimesh dhe fyerjesh ne rrjetet sociale

13/07/2026 13:03

Lena Selnes, partnerja e sulmuesit norvegjez të Atlético Madrid, Alexander Sorloth, ka denoncuar publikisht një valë mesazhesh fyese dhe kërcënuese që ka marrë në rrjetet sociale pas ndeshjes së Norvegjisë ndaj Anglisë në Kupën e Botës.

Përmes një postimi në “Instagram”, Selnes publikoi disa nga mesazhet që i kanë mbërritur në llogarinë e saj, duke shprehur zhgënjimin për gjuhën e urrejtjes që shoqëron kompeticionin.

“Kupa e Botës sjell shumë lumturi, por në të njëjtën kohë krijon edhe shumë urrejtje. Shpresoj që njerëzit të mendojnë pak më shumë përpara se të fyejnë dhe të kërcënojnë,” shkroi ajo.

Shumica e mesazheve lidhen me një rast të humbur nga Sorloth gjatë sfidës ndaj Anglisë, çka ka nxitur reagime të ashpra nga një pjesë e tifozëve.

Mes mesazheve të publikuara kishte fyerje dhe kërcënime të rënda, si: “Thuaji burrit tënd të largohet nga Norvegjia”, “Vrit veten”, “Do ta vrasim”, “Do ta vrasin” dhe ofendime të tjera me përmbajtje homofobike.

Rasti ka rikthyer në vëmendje problemin e abuzimit dhe gjuhës së urrejtjes ndaj sportistëve dhe familjarëve të tyre në rrjetet sociale, veçanërisht gjatë turneve të mëdha ndërkombëtare.

Top Channel