E dorëzuar, pa harmoni dhe koordinim/ Përçarje te Portugalia, e tregon… Instagrami

13/07/2026 22:34

Eliminimi i Portugalisë përballë Spanjës mund të ketë nxjerrë në pah më shumë sesa thjesht problemet taktike të Roberto Martinez.

Brenda fushës, skuadra portugeze u shfaq e dorëzuar, pa harmoninë dhe koordinimin e nevojshëm për t’i bërë ballë kundërshtarit. Por dhe një vështrim mbi marrëdhëniet e futbollistëve në Instagram krijon përshtypjen e një grupi të ndarë si brenda ashtu edhe jashtë fushe.

Në qendër të vëmendjes është, natyrisht, Cristiano Ronaldo. Kapiteni ndiqet nga 23 prej shokëve të tij të kombëtares, por vetë ai ndjek vetëm katër prej tyre: Diogo Dalot, Nélson Semedo, Rafael Leão dhe Bruno Fernandes. Ata që nuk kanë dëshirë të informohen për jetën e Kristianos janë Renato Veiga dhe Ruben Dias.

Një rreth tepër i kufizuar për figurën kryesore të skuadrës dhe një kontrast i fortë me lojtarë si José Sá, Nélson Semedo dhe Bruno Fernandes, të cilët ndjekin të gjithë pjesëtarët e tjerë të grupit.

Sigurisht, një “follow” nuk mjafton për të provuar ekzistencën e përçarjeve apo problemeve personale. Megjithatë, kjo tablo e një skuadre të ndarë në rrethe të vogla bëhet më domethënëse kur krahasohet me atë që Portugalia tregoi në fushë kundër Spanjës.

Në momentet vendimtare munguan bashkëpunimi, reagimi kolektiv dhe ndjesia e një skuadre që luftonte si një trup i vetëm. Portugalia kishte individualitete të jashtëzakonshme në çdo cep të fushës, por shumë rrallë u duk si një grup i bashkuar.

Dhe ndoshta eliminimi ndaj Spanjës nuk ishte vetëm humbja e një ndeshjeje, por pasoja e një ekipi që kishte shumë yje, shumë rrethe të ndryshme dhe jo mjaftueshëm unitet.

Top Channel