Dhunimi i 17-vjeçares në Fier, saga e denoncimeve në familjen e njërës prej autoreve/ Gazetarja Bezat në “Top Story”: Futi në burg babanë, nënën e dhunoi

13/07/2026 21:26

Gazetarja Dorjana Bezat ka folur në “Top Story” për ngjarjen e Fierit, ku tre vajza dhunuan një 17-vjeçare, teksa të gjitha veprimet i regjistruan me video në telefon.

Bezat deklaroi se njëra prej autoreve, 15-vjeçare, e cila tashmë është shtruar në psikiatri, ka pasur prej një viti situata dhune e denoncimesh.

Ajo tha se e mitura ka denoncuar të atin për dhunë, i cili ka bërë edhe burg. Po ashtu pas denoncimit për dhunimin e 17-vjeçares, ajo ka ushtruar dhunë edhe ndaj nënës së saj.

“Ka një histori brenda institucioneve arsimore, por edhe në policinë e Fierit. Historia e njërës prej protagonisteve është e vërtetë se është 1-vjeçare. Ka akuzuar babanë për dhunues, i cili ka bërë edhe disa muaj burg pas denoncimit. Në fillim fare kanë qenë institucionet arsimore që kanë raportuar për sjelljet e dhunshme, e më pas është përjashtuar nga ajo shkollë, më vonë ka shkuar në një shkollë tjetër. Ky ishte edhe apeli i nënës, që kam kërkuar ndihmë tek institucionet dhe nuk më janë përgjigjur. Vajza ka shkuar në shtëpi dhe ka denoncuar të atin për dhunë. Disa ditë më vonë, pas denoncimit, dhunon edhe nënën. Më pas është kërkuar shtrimi i saj në psikiatri”, tha Bezat.

Një ditë më parë, Gjykata e Fierit ka lënë në fuqi masat e sigurisë për tri vajzat e dyshuara për dhunimin e një 17-vjeçareje, një ngjarje që ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik.

Në seancën për verifikimin e masave të sigurisë, gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë, duke vendosur masën “arrest me burg” për 19-vjeçaren Lionela Lamaj e dyshuar si e përfshirë në ngjarje.

Për njërën nga dy 15-vjeçaret u konfirmua masa “arrest në shtëpi”, ndërsa për të miturën tjetër gjykata vendosi “shtrim të përkohshëm në spital psikiatrik”.

 

Top Channel