Argjentina kërkon “magjinë” e vitit 1986 ndaj Anglisë, rikthehet fanella blu e Maradonës për gjysmëfinalen e Botërorit

13/07/2026 13:44

Gjysmëfinalja e Kupës së Botës mes Anglisë dhe Argjentinës pritet të jetë një nga përballjet më të ngarkuara me histori dhe emocione në këtë turne.

Përballja e së mërkurës rikthen në kujtesë duelin legjendar të 22 qershorit 1986, kur dy kombëtaret u përballën në çerekfinalet e Botërorit në stadiumin “Azteca” të Meksikos. Atë ditë, Diego Armando Maradona shkroi historinë me dy nga golat më të famshëm të futbollit: “Dora e Zotit” dhe “Goli i Shekullit”.

Dyzet vite më vonë, Argjentina kërkon të përdorë edhe një element supersticioz përpara sfidës me Anglinë. Federata argjentinase i ka kërkuar FIFA-s leje për të luajtur me fanellën e dytë, atë blu, njësoj si në triumfin e vitit 1986.

Edhe pse modeli i sotëm ndryshon nga ai i asaj kohe, fanella blu shihet si një simbol fati për “Albiceleste”. Një tjetër përballje historike ndaj Anglisë që i ka buzëqeshur Argjentinës ishte ajo e Botërorit 1998, në fazën e 1/8-ave, ku ndeshja përfundoi 2-2 dhe u vendos nga penalltitë. Edhe në atë takim, Argjentina kishte veshur fanellën blu si mysafire.

Sipas raportimeve nga mediat argjentinase, FIFA ka pranuar kërkesën e federatës për përdorimin e kësaj uniforme, duke shtuar edhe më shumë emocionet përpara një sfide që pritet të mbetet gjatë në kujtesën e tifozëve të futbollit.

Top Channel