Prapaskena e Erling Haaland: Mund të luaja me Anglinë, zgjodha Norvegjinë falë babait tim
Mikel Merino vazhdon të shkruajë historinë me fanellën e Spanjës. Mesfushori u shndërrua sërish në heroin e “La Rojës”, duke shënuar golin vendimtar ndaj Belgjikës dhe duke vulosur kualifikimin e skuadrës së Luis de la Fuente.
Merino nuk është një futbollist që shënon rastësisht. Ai e bën këtë në momentet kur skuadra ka më shumë nevojë. Pas golit të famshëm në minutën e 119-të ndaj Gjermanisë në Euro 2024 dhe rrjetës kundër Portugalisë, ai goditi edhe një herë në një ndeshje eliminatore, këtë herë ndaj Belgjikës, duke u kthyer në protagonistin absolut të suksesit të Spanjës.
Mesfushori kishte vetëm 1 minutë e 56 sekonda që kishte hyrë në fushë kur përfitoi nga një gabim i portierit belg Lammens dhe e dërgoi topin në rrjetë, duke firmosur një tjetër moment historik në karrierën e tij.
Me këtë gol, Merino hyn në mesin e futbollistëve më vendimtarë në historinë e kombëtares spanjolle, në të njëjtin grup me emra legjendarë si Fernando Torres, David Villa, Andrés Iniesta dhe Mikel Oyarzabal, autorë të golave që kanë shënuar epoka për “La Rojan”.

Edhe pse gjatë këtij turneu ka qenë titullar vetëm në ndeshjen ndaj Uruguait, De la Fuente nuk ka hezituar ta aktivizojë në çdo takim. Besimi i trajnerit është shpërblyer sërish, pasi Merino ka treguar se di të bëjë diferencën edhe kur vjen nga stoli.
Statistikat e tij janë mbresëlënëse. Me katër gola në fazat me eliminim direkt të Botërorit, Kampionatit Europian dhe Nations League, ai është golashënuesi më i mirë i Spanjës në këto ndeshje. Gjithashtu, së bashku me Álvaro Moratën, mban rekordin si zëvendësuesi me më shumë gola në historinë e Botërorëve dhe Europianëve.

Merino është gjithashtu lojtari i vetëm spanjoll, së bashku me David Villën, që ka shënuar në dy ndeshje eliminatore radhazi të Kupës së Botës. Por ai ka vendosur edhe një rekord unik: asnjë futbollist tjetër në histori nuk kishte arritur të realizonte në dy faza eliminatore të Botërorit duke hyrë nga stoli.
Në basketbollin amerikan ekziston termi “clutch”, që përdoret për lojtarët që vendosin ndeshjet në momentet më të vështira. Në futbollin spanjoll, ky përkufizim tashmë ka një emër: Mikel Merino.
Top Channel