Haaland kundër Kane, dy qendërsulmuesit më të mirë në botë vihen përballë njëri-tjetrit
Kombëtarja e Anglisë ka marrë një lajm shqetësues vetëm pak ditë para përballjes me Norvegjinë në çerekfinalet e Kupës së Botës 2026.
Mbrojtësi Marc Guehi është në dyshim për sfidën e së shtunës në Miami, pasi ka pësuar një dëmtim në muskujt e kofshës.
Mbrojtësi 25-vjeçar, i cili ka qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm në skuadrën e Thomas Tuchel gjatë këtij Botërori, kishte ndier shqetësime fizike pas fitores së Anglisë ndaj Meksikës në fazën e 1/8-ve.
Fillimisht u mendua se bëhej fjalë vetëm për lodhje muskulore, por ekzaminimet e mëvonshme kanë konfirmuar një tërheqje të muskulit të pasmë të kofshës (hamstring), duke vënë në pikëpyetje aktivizimin e tij ndaj Norvegjisë.
Sipas raportimeve, Guehi mund të mungojë edhe në stërvitjen e fundit të ekipit, çka do ta bënte edhe më të vështirë rikuperimin në kohë.
Problemet për trajnerin Thomas Tuchel nuk mbarojnë me kaq. Mesfushori Declan Rice po përballet me një virozë dhe ka munguar në dy seanca stërvitore radhazi, duke shtuar shqetësimet në kampin anglez.
Nga ana tjetër, lajmi pozitiv është rikthimi në stërvitje i Reece James, i cili tashmë është në dispozicion për ndeshjen ndaj Norvegjisë.
Nëse Guehi nuk arrin të rikuperohet, Tuchel pritet të zgjedhë mes John Stones dhe Dan Burn për ta zëvendësuar në qendër të mbrojtjes. Të dy futbollistët dhanë një paraqitje të mirë në fitoren ndaj Meksikës, kur Anglia luajti me një lojtar më pak pas kartonit të kuq të Jarell Quansah.
Megjithatë, kushdo që do të zbresë në fushë do të ketë përballë një sfidë të vështirë, pasi duhet të ndalë sulmuesin Erling Haaland. Ylli norvegjez vjen në formë të shkëlqyer, pasi realizoi dy gola në ndeshjen e fundit dhe udhëhoqi Norvegjinë drejt çerekfinaleve të Kupës së Botës.
Top Channel