Mbretëria e Bashkuar përballet me temperatura përvëluese, autoritetet: Kujdes, do të zgjasë edhe javën e ardhshme

10/07/2026 07:54

Mbretëria e Bashkuar do të vijojë të përballet me temperatura të larta, që në disa zona pritet të arrijnë deri në 35 gradë Celsius.

Sipas parashikimeve meteorologjike, vala e tretë e të nxehtit për këtë vit do të vazhdojë edhe gjatë javës së ardhshme, ndërsa në pjesën më të madhe të Anglisë mbeten në fuqi paralajmërimet shëndetësore për vapën ekstreme.

Temperaturat të enjten kaluan 34°C për të tetën ditë gjatë këtij viti, duke vendosur një rekord të ri dhe duke tejkaluar nivelin e regjistruar në vitet 1976 dhe 2020, kur u shënuan shtatë ditë me temperatura mbi këtë prag.

Termometri mund të shënojë 34 deri në 35°C. Një ditë më parë, temperatura më e lartë u regjistrua 35.5°C. Në Uells u regjistruan 31.3°C, në Skoci 29.3°C, ndërsa Irlanda e Veriut arriti 27.5°C.

Meteorologët parashikojnë një lehtësim të përkohshëm gjatë fundjavës për disa rajone, pasi erërat verilindore do të sjellin ajër më të freskët nga Deti i Veriut. Megjithatë, zonat jugore dhe lindore të vendit pritet të mbeten nën ndikimin e temperaturave tipike të valës së të nxehtit.

Agjencia e Sigurisë Shëndetësore e Mbretërisë së Bashkuar (UKHSA) ka lënë në fuqi paralajmërimet për nxehtësinë në pjesën më të madhe të Anglisë deri të dielën në mbrëmje.

Autoritetet paralajmërojnë se temperaturat e larta mund të kenë ndikim të konsiderueshëm te personat mbi 65 vjeç, fëmijët e vegjël dhe individët me probleme shëndetësore, veçanërisht për shkak të netëve të ngrohta që pengojnë organizmin të rikuperohet.

Edhe pse kjo valë e të nxehtit nuk pritet të thyejë rekordin absolut të temperaturës në Mbretërinë e Bashkuar, ajo po shënon një vit rekord për numrin e ditëve me temperatura mbi 34°C. Rekordi kombëtar i temperaturës mbetet 40.3°C, i regjistruar në vitin 2022.

 

Top Channel