“Pirateria, vepër penale”, propozimi për ta luftuar, kryetarja e AMA-së, Krasniqi: Asnjë kompromis me këtë fenomen

09/07/2026 15:17

Kush kryen pirateri rrezikon të mbajë përgjegjësi penale. Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi, vlerëson nevojën e shtrëngimit të masave ndaj fenomenit të piraterisë, jo vetëm me sanksione administrative.

AMA ka paraqitur kërkesën për ndryshim në Kodin Penal.

“I kemi dërguar Ministrisë së Drejtësisë një propozim konkret që pirateria, në draft-kodin e ri penal, të konsiderohet vepër penale”, tha kryetarja e AMA-së, Armela Krasniqi.

Kjo kërkesë vjen për shkak të rritjes së vjedhjeve të përmbajtjeve audiovizive, pa të drejtë shitjeje, me zhvillimin e teknologjisë. Dhjetëra serverë të bllokuar, si dhe dy aplikacione që kryenin pirateri, Kanali IM dhe ShikoShqip, u ndaluan nga Google Play Store pas konstatimit nga AMA.

“Në 6 muajt e punës sonë gjatë vitit 2026 kemi 152 linqe, të cilat i kemi dërguar pranë AKEP-it, dhe nga verifikimet tona rezulton se 30-50% e tyre janë ende aktive”, tha ajo,

Përmirësim të legjislacionit AMA ka parashtruar edhe në Parlament.

“I jemi drejtuar Kuvendit të Shqipërisë se si gjykojmë ne ta përballim këtë fenomen. Kërkohet më shumë operacionalitet kur menjëherë verifikojmë një vepër të vjedhur audiovizive. Akoma nuk e kemi transpozuar Direktivën e Shërbimeve Digjitale, e cila sigurisht do t’i japë më shumë fuqi institucionit për të vepruar”, tha Armela Krasniqi.

Autoriteti i Mediave gjithashtu ka punuar mbi një memorandum midis institucioneve, që po ndërmerret si aksion i përbashkët për të luftuar piraterinë.

Top Channel