Zyrtare/ E kishte njoftuar para Botërorit, Portugalia bën publik vendimin përfundimtar për të ardhmen e trajnerit Martinez

08/07/2026 11:17

Roberto Martinez nuk do të jetë më trajneri i kombëtares së Portugalisë. Tekniku spanjoll ka mbyllur aventurën në stolin e “Seleçaos” pas eliminimit nga Kupa e Botës, ku Portugalia u mposht 1-0 nga Spanja në fazën e 1/8-ve.

Vendimi u bë zyrtar edhe nga Federata Portugeze e Futbollit, e cila njoftoi përfundimin e bashkëpunimit me Martinez dhe e falënderoi për punën e bërë gjatë periudhës së tij në drejtimin e ekipit kombëtar.

Pas sfidës ndaj Spanjës, Martinez kishte deklaruar se kontrata e tij kishte përfunduar dhe se ishte momenti për një kapitull të ri. Ai e cilësoi eliminimin nga Botërori si fundin e një cikli, duke pranuar se objektivi i tij kryesor ishte ta udhëhiqte Portugalinë drejt suksesit në turneun më të rëndësishëm të futbollit.

Martinez mori drejtimin e Portugalisë në janar të vitit 2023. Gjatë kësaj periudhe ai siguroi një fushatë të suksesshme kualifikuese dhe arriti të fitojë Ligën e Kombeve të UEFA-s në vitin 2025, por aventura në Kupën e Botës përfundoi më herët nga sa pritej.

Tashmë Federata Portugeze ka nisur procesin për gjetjen e pasuesit të tij. Mediat ndërkombëtare raportojnë se një nga emrat që po shqyrtohet për pankinën e Portugalisë është trajneri veteran portugez Jorge Jesus.

Top Channel