“Botërori 2006, gëzimi më i madh në jetën time. Calciopoli nuk ndikoi”/ Rrëfimi i veçantë i Cannavaros: Më vjen keq ta them, por këtë vit fiton Franca
Sulmuesi i Kombëtares së Shteteve të Bashkuara, Folarin Balogun, ka reaguar pas një prej episodeve më të debatueshme të Kupës së Botës, ku emri i tij u përfshi në një stuhi reagimesh që kaloi përtej futbollit.
Balogun preferoi të mos komentojë drejtpërdrejt deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump dhe ndërhyrjet politike që shoqëruan vendimin e FIFA-s për t’i lejuar atij të luante ndaj Belgjikës, pavarësisht kartonit të kuq të marrë më herët.
“Detyra ime është të dal në fushë dhe të përqendrohem te puna ime. E përsëris, ajo që më dhemb më shumë është humbja”, deklaroi sulmuesi amerikan pas eliminimit.
Sulmuesi i ekipit të drejtuar nga Mauricio Pochettino tha se ai thjesht pranoi vendimet e marra nga institucionet përkatëse dhe nuk kishte dijeni për proceset jashtë fushës.
“Kur mora kartonin e kuq, e dija që zakonisht do të humbisja ndeshjen pasuese. Kur vendimi ndryshon, është normale që të ketë diskutime dhe polemika. Por unë jam lojtar futbolli. Nuk i dija detajet dhe nuk kisha asnjë rol në atë procedurë”, u shpreh ai.
Vendimi i FIFA-s për pezullimin e dënimit të tij dhe aktivizimin ndaj Belgjikës shkaktoi reagime të shumta, pasi shumë tifozë dhe analistë ngritën pikëpyetje për mënyrën se si u trajtua rasti.
Balogun pranoi se ende nuk e ka përpunuar plotësisht atë që ndodhi gjatë ditëve të fundit.
“Do të më duhet kohë për të kuptuar vërtet gjithçka që ndodhi”, tha ai, duke theksuar se fokusi i tij kishte qenë vetëm te ndeshja.
Në sfidën ndaj Belgjikës, SHBA nuk arriti të përsëriste paraqitjet e mëparshme dhe u eliminua nga turneu. Balogun pranoi se skuadra nuk kishte treguar të njëjtin intensitet.
“Është e vështirë të shpjegosh mungesën e energjisë në një ndeshje të raundit të 16-shes së Kupës së Botës. Në ndeshjet e tjera kishim një intensitet të madh dhe merrnim forcë nga tifozët, por këtë herë nuk ndodhi kështu. Është shumë e dhimbshme”, tha sulmuesi.
Pas eliminimit, trajneri i Belgjikës, Rudi Garcia, ka folur me Balogun dhe i ka kërkuar të mos lejojë që polemikat ta errësojnë eksperiencën e tij në Botëror.
“Ai më tha se shpreson që kjo situatë të mos e mbulojë një Kupë Bote fantastike që kam luajtur. Më inkurajoi të qëndroj pozitiv dhe të jem krenar për atë që kam arritur”, tregoi Balogun.
Sulmuesi amerikan theksoi se, pavarësisht zhgënjimit nga eliminimi, ky turne ishte një moment i rëndësishëm për ekipin.
“Ne arritëm të bashkonim një vend dhe t’u prezantonim shumë njerëzve futbollin. Kur emocionet të qetësohen, do të jem në gjendje të shoh më qartë gjithçka që kemi arritur”, përfundoi Balogun.
Top Channel