Botërori përmbys garën për “Topin e Artë”. Messi rikthehet fuqishëm, shanset e tij rriten me 966%

08/07/2026 22:10

Kupa e Botës po ndryshon ndjeshëm garën për fitimin e “Topit të Artë”. Historia e këtij çmimi ka treguar se në vitet kur zhvillohet Botërori, performanca me kombëtaren shpesh ka më shumë peshë sesa sezoni me klubin. Edhe këtë herë, paraqitjet në turneun më të madh të futbollit kanë përmbysur renditjen e favoritëve.

Sipas të dhënave të kompanisë së basteve Betfair, përfituesi më i madh deri tani është Lionel Messi. Përpara nisjes së Kupës së Botës, argjentinasi kishte vetëm 0.97% shanse për të fituar “Topin e Artë”, ndërsa tani kjo përqindje është rritur në 10.34%, një rritje prej 966%.

Messi është ngjitur në vendin e pestë mes favoritëve, pas Harry Kane, Kylian Mbappé, Ousmane Dembélé dhe Michael Olise. Nëse Argjentina vazhdon rrugëtimin në Botëror, shanset e tij për të fituar “Topin e Artë” të nëntë pritet të rriten edhe më tej.

Në krye të listës mbetet Harry Kane me 22.27% shanse, duke ruajtur statusin e favoritit kryesor. Megjithatë, Kylian Mbappé po i afrohet me shpejtësi. Sulmuesi francez ka kaluar nga 4.36% në 19.30%, një rritje prej 343%, falë shtatë golave të shënuar dhe ecurisë së Francës në turne. Diferenca mes Kane dhe Mbappé është tashmë vetëm rreth tre pikë përqindjeje.

Botërori ka rritur ndjeshëm edhe kuotat e Jude Bellingham. Mesfushori anglez, pas një sezoni jo bindës me Real Madridin, ka kaluar nga 0.64% në 4.26%, duke u futur në dhjetëshen e favoritëve.

Edhe Erling Haaland ka bërë një hap të madh përpara. Sulmuesi norvegjez i ka rritur shanset nga 1.92% në 6.59%, një rritje prej 243%, falë shtatë golave të realizuar dhe ecurisë surprizë të Norvegjisë deri në çerekfinale.

Në rritje janë edhe Michael Olise (nga 8.17% në 12.06%), Cristiano Ronaldo (nga 0.80% në 2.79%) dhe Vinicius Junior (nga 0.97% në 2.13%).

Në krahun tjetër, disa futbollistë që kishin fituar terren falë sezonit me klubet kanë humbur ndjeshëm pozicione gjatë Kupës së Botës. Rënien më të madhe e ka pësuar Declan Rice, shanset e të cilit kanë zbritur nga 10.89% në 3.45%, një ulje prej 68%.

Në rënie janë edhe Khvicha Kvaratskhelia (nga 7.26% në 4.83%), Raphinha (nga 1.28% në 0.89%), Ousmane Dembélé (nga 14.52% në 12.06%) dhe Julián Álvarez (nga 1.28% në 1.08%).

Sipas analizës së Betfair, ecuria në Kupën e Botës pritet të ketë ndikim vendimtar në garën për “Topin e Artë”, ndërsa ndeshjet e mbetura të turneut mund të ndryshojnë sërish hierarkinë e favoritëve.

Top Channel