Incident i rëndë në Fier, tre adoleshente dhunojnë dhe filmojnë një bashkëmoshatare, policia nis hetimet
Si janë zhvilluar ndër vite protestat në vendin tonë dhe çfarë kanë sjellë ato?
Kjo ishte tema e diskutimit këtë mbrëmje në emisionin Top Story në Top Channel, me një panel analistësh që sollën këndvështrimet e tyre.
Sipas Lorenc Vangjelit, protesta ka rrëzuar disa mite që lidhen me pjesëmarrjen qytetare dhe ka treguar rëndësinë e protestave paqësore.
“Është dëgjuar shpesh të thuhet që ky popull nuk e ka nervin e protestës. Nuk është kështu, në fakt. E ka dhe, në thelb, nuk ndryshon nga asnjë popull evropian në qasjen ndaj padrejtësisë. Kjo thuhet kryesisht nga opozita, por populli nuk i ndjek, sepse opozita nuk i përfaqëson.
Kjo protestë, pavarësisht shumë dritëhijeve, një gjë e ka realizuar, që është shumëplanëshe. Ka thyer mitin që shqiptarët nuk protestojnë, ka thyer mitin e plotfuqisë së një kryeministri, ka thyer mitin e pretendimit se klasa politike tentonte të shitej si përfaqësuese.
Kjo protestë na dëshmoi rregullin e artë që protestat paqësore janë më të dobishme se ato të dhunshmet. Në protestat ndër vite, ato që kanë qenë paqësore kanë realizuar qëllimet e tyre”, tha Lorenc Vangjeli.
Aleksandër Çipa u ndal te karakteri i protestës dhe mënyra se si ajo është zhvilluar në raport me protestat e mëparshme.
“Dy kahet e politikës krijuan një stanjacion politik dhe premtuan revolucion paqësor, dhe masa që u bashkua, sidomos në këto ditë, ka të bëjë me këtë gjë. E dyta, kjo është protesta më e gjatë në afat kohor që ka përjashtuar qytetet e tjera. Kjo është protesta e vetme që është përqendruar në kryeqytetin e vendit. Kjo është protesta më e suksesshme, ndonëse nuk kemi arritur në produktin e dëshiruar”, u shpreh Aleksandër Çipa.
Ndërsa Ergys Mërtiri theksoi se forca e protestës qëndron te karakteri i saj qytetar dhe pakënaqësia e gjerë ndaj klasës politike.
“Pika e fortë është se këtë protestë nuk ke ku e kap, duke qenë se nuk i përket dikujt. E vetmja mënyrë është të kapësh gjithë njerëzit, tek e tek. Kjo mungesë organizimi, nga ana tjetër, sjell edhe një lloj kaosi dhe lë faktorë që ta sulmojnë. Një protestë e tillë duhet të jetë dhe kështu është, popullore, dhe brenda bart gjithçka, qoftë edhe probleme. Emëruesi i përbashkët që sjell njerëzit atje është pakënaqësia e thellë ndaj qeverisjes, madje ndaj sistemit politik, opozitës dhe pozitës bashkë. Elita politike nuk na përfaqëson më. Populli ka dalë dhe thotë që nuk na përfaqësoni më”, tha Ergys Mërtiri.
Top Channel