Video/ Drama pas triumfit ndaj Meksikës, mesfushori anglez rrëzohet gjatë festës me tifozët dhe dërgohet me urgjencë në spital
Carlo Ancelotti nuk e fshehu zhgënjimin pas eliminimit të Brazilit nga Kupa e Botës, por theksoi se disfata duhet të shërbejë si pikënisje për ndërtimin e një cikli të ri të kombëtares.
“Kjo humbje është hapi i parë në ciklin e ri të kësaj skuadre kombëtare”, deklaroi trajneri italian, duke pranuar se eliminimi ishte i dhimbshëm, jo vetëm për rezultatin, por edhe për mënyrën se si erdhi.
“Jemi të gjithë thellësisht të trishtuar, si stafi teknik ashtu edhe lojtarët, njësoj si tifozët. Mund të mos kemi zhvilluar një Kupë Bote spektakolare, por turneu ynë ishte i mirë dhe sot meritonim fitoren”, u shpreh Ancelotti.
Trajneri analizoi edhe ecurinë e sfidës, duke theksuar se Brazili e kontrolloi lojën për pjesën më të madhe të takimit.
“Në pjesën e parë luajtëm shumë mirë dhe krijuam disa raste në rezultatin 0-0. Kishim vendosur të mos ushtronim presion shumë lart, pasi kundërshtari ishte shumë i rrezikshëm në kundërsulme. Gjithçka funksionoi për 70 minuta, por më pas erdhi Haaland dhe vendosi ndeshjen”, tha ai.
Ancelotti vlerësoi paraqitjen e skuadrës së tij, edhe pse pranoi cilësinë e kundërshtarit.
“Është një përvojë zhgënjyese për rezultatin dhe ndiej një trishtim të madh, por njëkohësisht largohem me kujtime të shkëlqyera nga ky grup. Dua t’i falënderoj lojtarët për atmosferën fantastike që krijuan. Jo gjithmonë gjërat shkojnë siç i planifikojmë. Nuk e meritonim të humbisnim, por duhet t’i japim meritën edhe kundërshtarit, i cili ka futbollistë të jashtëzakonshëm që bënë diferencën.”
Trajneri brazilian u pyet edhe për zgjedhjen e gjuajtësit të penalltisë, duke sqaruar pse përgjegjësinë e mori Bruno Guimarães dhe jo Vinicius Junior.
“Para ndeshjes bëmë një analizë statistikore të penalltive të ekzekutuara dhe të realizuara në muajt e fundit. Më i miri ishte Raphinha, më pas Neymar dhe Igor Thiago, por asnjëri nuk ishte në fushë. Nga lojtarët që po luanin, Bruno Guimarães kishte statistikat më të mira, ndaj vendosëm që ai të gjuante penalltinë.”
Pavarësisht zhgënjimit, Ancelotti mbetet optimist për të ardhmen e Brazilit.
“Tani duhet ta përballojmë këtë trishtim dhe që nga nesër të fillojmë të mendojmë për të ardhmen. Kemi një grup lojtarësh të rinj shumë interesantë, futbollistë me cilësi dhe veteranë që mund të vazhdojnë të japin kontribut.”
Tekniku italian, i cili para Kupës së Botës rinovoi kontratën e tij deri në vitin 2030, është i vendosur të vazhdojë projektin afatgjatë me synimin për ta rikthyer Brazilin në majën e futbollit botëror dhe për të synuar më në fund yllin e gjashtë në Botërorin e ardhshëm.
Top Channel