Fiks Fare/ Konflikti për pronën në Tepelenë, avokati dhe bashkëshortja e tij “zihen” me njëri tjetrin në zyrat e Top Channel

06/07/2026 21:52

Avokati Zaçe Islami dhe bashkëshortja e tij Liljana Islami u paraqitën në ambientet e Top Channel, për të reaguar në lidhje me kronikën e transmetuar në datën 26 maj 2026, ku emisioni investigativ pasqyroi një konflikt pronësie dhe kufitarësh.

Në atë kohë, në redaksinë e Fiksit u ankuan Arta Daci dhe Sokol Guga, të cilët thanë se që prej vitit 2022, ata janë në konflikt me çiftin në fjalë, pasi fillimisht kanë nxjerrë me forcë 3 motrat Daci dhe më pas kanë prishur muret egzistuese.

Në kronikë, gazetarët pyetën të gjitha palët, madje në momentin e ballafaqimit mes tyre, ndodhi edhe një konflikt. Avokati Zaçe Islami mori një gur dhe tentoi që të qëllonte komshiun Sokol Gugën. “Fytyrë mi, kokë zhabë, qelbësirë…”, ishin disa nga fjalët që palët i drejtonin njëra-tjetrës, ndërkohë që në një moment avokati Zaçe Islami merr një zorrë uji dhe tenton që t’a lagë, por s’ka ujë. Më pas ai lajmëron policinë që të vijë.

Në atë kohë, në vendngjarje shkoi edhe Policia e Tepelenës, e cila fillimisht shkon në banesën e Zaçe Islamit. Zaçja ankohet për komshiun dhe u tregon se aty ka shkuar edhe grupi i Fiks Fare dhe u ka bërë pyetje për pronësinë. Më pas efektivët shkojnë në banesën që qëndronte komshiu Sokol Guga, duke e marrë me forcë. Të dyja palët qëndruan disa orë në komisariat dhe më pas u liruan, teksa materialet shkuan në prokurori për të disatën herë.

Pas transmetimit të kësaj problematike, në zyrat e Top Channel u paraqit sërish avokati me bashkëshorten. Fiksi u la kohë të japin shpjegime për pronën, teksa pretendojnë se kanë dokumente të vjetra, por para kamerës sorollaten e sorollaten dhe nuk paraqiten asnjë dokument.

Burrë e grua tentojnë t’u shpjegojnë grupit të Fiks Fare situatën me pronën e tyre, konfliktin me trashëgimtaret e Aishe Dacit (e ndjerë) si dhe me komshiun, Sokol Guga. Në disa momente, avokati Zaçe Islami filmon grupin e Fiks Fare, ndërkohë që disa herë korrigjon bashkëshorten.

Ai i thotë bashkëshortes se grupi i Fiks Fare po tallet me të dhe i thotë që mos të përgjigjet. Ata “zihen” me njëri tjetrin, ndërkohë që zgjasin intervistën pa iu dhënë përgjigje pyetjeve. Në një moment, avokati Zaçe Islami i përplas letrat bashkëshortes dhe largohet nga zyra.

Top Channel