“Nuk mund t’i thuash jo një investimi 4 miliardë euro”/ Tubimet në Tiranë, Rama flet për ZDF: S’kam gjë me ata që protestojnë, por me ata që…
Avokati i një prej të arrestuarve nga protesta, pretendon se klienti i tij është dhunuar nga policët në qeli gjatë mbrëmjes së kaluar, ndërsa ai po kalonte një krizë epileptike.
“Prej momentit që është shoqëruar deri tani e kanë kapur tre herë krizat e sëmundjes së epilepsisë dhe mbrëmjen e djeshme, kur e kanë kapur krizat epileptike, ai nuk është i vetëdijshëm në ato momente, nga ana e policisë së shtetit, jo vetëm që nuk është përkujdesur që ai të kalonte sa më lehtë krizës, por është dhunuar. Ai është dhunuar, më tregoi edhe provat”, u shpreh avokati i të arrestuarit.
Menjëherë pas kësaj deklarate ka reaguar ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallarri, i cili shkruan se AMP ka nisur menjëherë verifikimet nëse rasti në fjalë është i vërtetë.
“Duke marrë shkas nga deklaratat e bëra publike si në videon bashkëlidhur i kam kërkuar menjëherë Policisë së Shtetit informacion mbi pretendimet e rastit në fjalë. Policia e Shtetit më ka informuar se pretendime të tilla janë totalisht të pabaza dhe të pavërteta.
Më pas Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur menjëherë verifikimet mbi pretendimet e parashtruara duke administruar të gjithë informacionin e nevojshëm.
Por ndërkohë institucioni i Avokatit të Popullit, i cili ka vepruar kryesisht dhe pavarësisht prej Policisë së Shtetit duke i vizituar të ndaluarit për akte dhune, po ashtu nuk ka shtruar asnjë problem të kësaj natyre.
Nëse edhe AMP-ja do të dalë në të njëjtat konkluzione Policia e Shtetit i lind e drejta dhe detyrimi jo vetëm për referimin në prokurori të deklaruesit sipas përcaktimeve ligjore në fuqi lidhur me përhapjen e qëllimshme të thënieve që nxisin urrejtje, por edhe për referimin në Dhomën Kombëtare të Avokatisë ku buron licenca e një avokati të dyshuar për papërgjegjshmëri etiko-profesionale”, shkruan Lamallari.
Top Channel