Kampionati shqiptar në sezonin e ri do të vijë me ndryshime drastike, në përpjekje për të rritur konkurrencën, cilësinë, por edhe për t’i shërbyer rritjes së cilësisë të futbollistëve vendës.

Në sezonin e shkuar FSHF mori vendimin për të lënë një numër pa limit të të huajve në fushë, por në tërësi jo gjithçka funksionoi siç duhet, pasi u ulën shanset për të rinjtë nga akademia dhe nga ana tjetër as cilësia nuk pësoi rritje të dukshme.

Burime për Top Channel konfirmojnë se Komiteti Ekzekutiv do të vendosë që të paktën ne Kategorinë Superiore të vendoset një limit prej 7 futbollistësh të huaj në fushë, teksa do të lejohet në total regjistrimi i vetëm 9 të huajve.

Të huaj nuk konsiderohen futbollistët me pasaportë të Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut. Nga ana tjetër, një vendim tjetër i rëndësishëm është ajo e aktivizimit të një futbollisti U-18 për të paktën 45 minuta.

Ky rregull i detyron klubet të besojnë më shumë tek akademia dhe rrjedhimisht krijon një mundësi për zhvillimin e të rinjve më të spikatur të akademive shqiptare. Pak javë më parë FSHF miratoi edhe ndryshimin e formatit të kampionatit.

Top Channel