Van der Vaart nuk kursen kritikat pas eliminimit të Holandës: Maroku e meritoi, De Jong zhvilloi ndeshjen më të keqe që kam parë

30/06/2026 09:29

Ish-mesfushori i Holandës, Rafael van der Vaart, ka shpërthyer në kritika pas eliminimit të “Tulipanëve” nga Kupa e Botës, pasi u mposhtën nga Maroku me penallti në ndeshjen e 1/16-tës së finales.

Van der Vaart pranoi se kundërshtari ishte dukshëm më i mirë gjatë gjithë takimit dhe se kualifikimi i Marokut ishte plotësisht i merituar.

“Duhet të jem shumë i sinqertë: Maroku e meritonte vërtet. Është e vështirë për mua ta them, por ata e merituan të kalonin tutje. Që nga minuta e parë, ata ishin superiorë. Ishte një ndeshje vërtet e keqe.

Sigurisht, kur kalon në epërsi me një gol të bukur mendon se ndoshta do të arrish ta ruash avantazhin dhe të kalosh, por Maroku ishte thjesht skuadra më e mirë. Ndonjëherë futbolli të jep atë që meriton”, deklaroi ai.

Ish-mesfushori nuk kurseu kritikat as për Frenkie de Jong, duke e cilësuar paraqitjen e tij si më të dobëtën që ka parë ndonjëherë.

“De Jong luajti ndeshjen më të keqe që e kam parë ndonjëherë të luajë. Ishte vërtet zhgënjyese”, u shpreh Van der Vaart.

Holanda i dha fund aventurës së saj në Botëror pas humbjes në serinë e penalltive ndaj Marokut në fazën e 1/16-tës, ndërsa afrikanët siguruan një kualifikim historik për në raundin tjetër.

Top Channel